Bien në pranga dy persona, qëlluan në ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër
Dy persona kanë rënë në pranga në Lezhë pasi qëlluan në ajër4 me fishekë manovër.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, pas një telefonate në Sallën Operative të DVP Lezhë nga banorët, se në lagjen “Skënderbeg” kishte të shtëna me armë zjarri, shkuan menjëherë në drejtim të adresës së dhënë.
Nga verifikimet e shpejta dhe bashkëpunimi me qytetarët, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E. B., 32 vjeç, dhe P. N., 24 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg,” për veprat penale të “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive” dhe “Prishja e qetësisë publike.”
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për pronarin e automjetit, shtetasin E. G., 28 vjeç, banues në lagjen “Skënderbeg.”
Dy shtetasit e arrestuar dyshohen se kishin marrë automjetin e shtetasit E. G. dhe prej automjetit kanë qëlluar në ajër me pistoletë sportive me fishekë manovër, duke prishur qetësinë publike dhe terrorizuar banorët.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 gëzhoja të gjetura në vendngjarje.
Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë për veprime të mëtejshme.