Blegtoria do punëtorë/ Blegtori fierak ka punë dhe treg, por do njerëz
Leonard Buzi nga fshati Kallm i Madh në Fier, sot është një ndër blegtorët më aktivë të zonës.
50-vjeçari ka filluar të mbarështojë lopë 20 vjet më parë.
“E nisa këtë punë së bashku me babain tim vetëm me 3 krerë lopë dhe për çdo vit e kam rritur numrin duke ruajtur dhe shtuar numrin e gjedhëve dhe sot kam arritur ne 20 krerë, dhe te gjitha janë në prodhim për qumësht.“- shprehet blegtori Leonard Buzi.
Leonardi tregon se çdo ditë arrin të grumbullojë rreth 300 litra qumësht që e shet me çmim të kënaqshëm në fabrikat e përpunimit që ndodhen jo vetëm në zonat përreth, por edhe më gjerë.
“Për të bërë të mundur sigurimin e bazës ushqimore për bagëtitë , kam marrë me qira rreth 13 hektarë toka, ku kryesisht kultivoj misër, jonxhe dhe foragjere të tjera duke siguruar kështu ushqim për gjedhët për gjithë vitin”.
Përfitues i skemave ndihmëse të qeverisë për karburantin dhe subvencionet për blegtorinë, fermeri synon rritjen e numrit të krerëve, por e ka të pamundur pasi i vetëm me familjen nuk mund t’ia dalë, sepse i duhet fuqi punëtore dhe në zonë gjetja e punëtorëve sa vjen dhe bëhet më e vështirë.