Bllokimi i rrugës Librazhd-Prrenjas, kreu i ARRSH zbardh vendimet për ndërhyrjen emergjente

Kreu i ARRSH-së, Ami Kozeli ka folur këtë të martë në një konferencë për mediat lidhur me bllokimin disa ditor të aksit Librazhd-Përrenjas.
Kozeli ka zbardhur vendimet e marra pas mbledhjes së Këshillit Teknik ditën e sotme.
Nga analiza e kryer, shkaku kryesor i kësaj situate mbetet ndikimi i reshjeve intensive dhe të zgjatura, që ka shkaktuar erozion lumor, duke çuar në rrëshqitje të vazhdueshme dhe në seri.
Në mbledhjen e sotme, Këshilli Teknik ka marrë këto vendime:
– Ndërtimi i një rruge të re provizore në shtratin e Lum Shkumbin.
– Rakordimi i menjëhershëm me Hekurudhën Shqiptare, agjencitë kombëtare të mjedisit dhe agjencitë e menaxhimit të burimeve ujore për menaxhimin e situatës.
– Prishja e urës ekzistuese, lehtësimi i rrugës së prishur dhe ndërtimi i një skarpat natyror që do të mundësojë ndërhyrjen.
– Sistemi i ujërave në gjithë zonën përreth të përmirësohet dhe të menaxhohet më mirë.
– Devijimi i rrjedhës së lumit që godet rrugën dhe hekurudhën.
“Ky aks i ri është me gjatësi minimumi 1.3 kilometra dhe nuk mund të themi një afat kohor. Lidhur me inertet, e mohoj që fenomeni të ketë ndodhur për shkak të marrjes së inerteve.”, tha ndër të tjera kreu i ARRSH-së.




