Bordi i Transparencës rrit sërish çmimet, Nafta 218 lekë për litër, ndërsa Benzina 181 lekë për litër.

Bordi i Transparencës ka vendosur sërish rritjen e çmimeve të karburanteve në vend, duke përcaktuar nivelet e reja për shitjen me pakicë dhe shumicë të nënprodukteve të naftës dhe benzinës.
Sipas vendimit të fundit, çmimi i naftës (gazoil) për tregun me pakicë do të jetë jo më shumë se 218 lekë/litri, ndërsa për shitjen me shumicë jo më shumë se 206 lekë/litër.
Ndërkohë, për benzinën, është vendosur që çmimi i shitjes me pakicë të jetë jo më shumë se 181 lekë/litri, ndërsa ai me shumicë jo më shumë se 169 lekë/litër.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi ditën e sotme, 28 mars, në orën 22:30, dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e radhës, ku pritet të reflektohen ndryshimet e reja të çmimeve në treg.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë operatorëve të tregtimit të karburanteve, si në shumicë ashtu edhe në pakicë, që të zbatojnë këtë vendim. Në të kundërt, paralajmërohet se ndaj subjekteve që shkelin rregullat do të merren masa, deri në pezullimin e aktivitetit.
Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, theksojnë se janë të angazhuara për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.




