Breshëri armësh mbi automjetet që lëvizinin në autostradë, raportohen 7 të lënduar
Një operacion policor është zhvilluar në Kentucky pasi një numër njerëzish u qëlluan përgjatë një autostrade pranë qytetit të Londrës të shtunën.
Incidenti filloi rreth orës 18:00 me orën lokale (22:00 GMT), kur policia iu përgjigj një raportimi se ndaj disa automjeteve u qëllua me armë zjarri pranë Interstate 75.
Shtatë persona janë lënduar në incident, sipas kryebashkiakut të Londrës Randall Weddle.
Ai tha se jo të gjitha këto lëndime ishin me armë zjarri dhe se askush nuk është vrarë.
Zyra e Sherifit të Qarkut Laurel ka identifikuar 32-vjeçarin Joseph A Couch si personin e dyshuar dhe paralajmëroi publikun se ai konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.
Sipas mediave lokale, të shtënat mund të jenë realizuar nga një zonë pyjore pranë autostradës, ose nga një mbikalim.
“I dyshuari ose të dyshuarit nuk janë kapur në këtë moment, por ata janë në kërkim të tyre”, tha kryebashkiaku Randall në një video të postuar në Facebook rreth orës 21:30 me orën lokale.
“Aty ku janë aktualisht, është një terren i thyer dhe të pyllëzuar”, tha ai.
Duke folur për CNN, Christina DiNoto, e cila ishte duke vozitur në Interstate 75 me një mik në momentin e të shtënave, tha se “ishte sikur një gur kaloi nëpër dritaren time të pasme”, duke e lënduar veshin e saj.
“Ne pamë njëri-tjetrin dhe pyetëm: a ishte kjo një armë zjarri?’ Dhe pastaj menduam: ‘jo, kjo nuk ishte një armë zjarri”.
Ajo tha se vetëm një orë e gjysmë më vonë mësuan se kishte pasur të shtëna.
Një zëdhënës i Qendrës Mjekësore të Universitetit të Kentakit në Lexington i tha CBS News se kishte pranuar të paktën dy pacientë nga incidenti, por nuk dha detaje për gjendjen e tyre.
Scottie Pennington, një zëdhënës i Policisë së Shtetit të Kentakit, u bëri thirrje banorëve në zonë të qëndronin brenda.
Guvernatori i Kentakit, Andy Beshear, shkroi në mediat sociale se forcat e rendit kishin “mbyllur ndërshtetërorin në të dy drejtimet” afër vendit ku ndodhën të shtënat.
Ai tha se zona duhet të shmanget dhe i kërkoi publikut të “lutet për të gjithë të përfshirë”.
Londra është një qytet i vogël me rreth 8,000 banorë pranë Pyllit Kombëtar Daniel Boone.