Britani e Madhe: Një numër rekord emigrantësh për vitin 2023 kaluan vendin brenda një dite
Autoritetet britanike regjistruan 872 ardhje emigrantësh që kaluan Kanalin Anglez me varka të vogla të shtunën, një numër rekord që nga fillimi i vitit , për shkak të kushteve të favorshme të motit në zonë.
Në total, më shumë se 21,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar duke kaluar Kanalin Anglez këtë vit, një shifër relativisht e ulët krahasuar me 45,000 mbërritjet e regjistruara vitin e kaluar.
Të shtunën, 54 emigrantë të tjerë u shpëtuan pranë Pas-de-Calais nga roja bregdetare franceze dhe u dërguan në portin e Boulogne-sur-Mer. Emigrantët kërkuan ndihmë pasi motori i varkës së tyre u prish, por ai u rindez më vonë nga dy persona në bord.
Vera është koha më e favorshme për kalimin e rrezikshëm të Kanalit dhe gushti pati një numër rekord të mbërritjeve në Britani, me më shumë se 5,300. Çështja është veçanërisht e ndjeshme për qeverinë konservatore të Rishi Sunak, e cila e ka bërë prioritet luftimin e imigracionit të parregullt. Edhe pse ligji është forcuar dhe emigrantëve të paligjshëm tani u ndalohet të kërkojnë azil në vend, qeveria po përpiqet të kontrollojë situatën. Ajo gjithashtu planifikon të dëbojë emigrantët në vendet e tyre të origjinës ose në vende të treta, si Ruanda, një plan që është bllokuar nga gjykatat.
Pas vitit 2018, më shumë se 100,000 njerëz kaluan Kanalin Anglez duke nisur me varka të vogla nga Franca. Shumica e tyre kërkojnë azil, me rezultat që sistemi i pritjes për këto kërkesa nuk mund t’i trajtojë në kohë. Në fund të qershorit, të paktën 175,000 njerëz prisnin ende një vendim nga autoritetet britanike./ BRE-MPE