Cakran, Fier – Prodhimi i vajit të ullirit mbetet stok, fermerët dhe përpunuesit në vështirësi

Janë drejt përfundimit ditët e vjeljes dhe përpunimit të ullirit në Cakran të Fierit, një nga zonat më të njohura për numrin e lartë të pemëve të ullirit dhe traditën shumëvjeçare në prodhimin e vajit. Edhe këtë sezon, prodhimi ka qenë i pakët, por cilësia e vajit të prodhuar mbetet e lartë.
Megjithatë, fermerët e zonës ankohen se vaji po mbetet stok, për shkak të mungesës së tregut dhe çmimit të ulët të shitjes, i cili nuk mbulon as shpenzimet e kryera gjatë sezonit. Situata ka vënë në vështirësi edhe përpunuesit, të cilët kanë investuar në pajisje moderne për të garantuar cilësi dhe për të synuar eksportet, por mungesa e tregut të jashtëm ka ndikuar ndjeshëm në rënien e shitjeve.
Një përpunues i vajit shprehet se, përveç kushteve të pafavorshme atmosferike, ka ndikuar edhe mungesa e kujdesit ndaj ullishtave, pasi fermerët prej dy vitesh nuk arrijnë të shesin prodhimin dhe nuk kanë të ardhura për të mirëmbajtur pemët.
Nga ana tjetër, fermerët e cilësojnë situatën alarmante. Sipas tyre, çmimi aktual prej rreth 6 mijë lekësh për litër nuk justifikon kostot e larta të prodhimit, duke i shtyrë shumë prej tyre drejt braktisjes së ullishtave.
Në këto kushte, fermerët e Cakranit, për të cilët ullishtat janë burimi kryesor i jetesës, kërkojnë ndërhyrjen e shtetit përmes subvencioneve dhe ngritjes së pikave të grumbullimit, me qëllim krijimin e një tregu të qëndrueshëm për vajin e ullirit dhe mbijetesën e këtij sektori të rëndësishëm bujqësor.




