Carla Sofia Gascon, aktorja e parë transgjinore e nominuar për Oscar
Carla Sofia Gascon prej kohësh konsiderohet si favoritja e madhe në garën për Oscar 2025 me filmin “Emilia Perez”, një parashikim që u konfirmua në shpalljen e nominimeve të ceremonisë së 97-të. 52-vjeçarja hyri në histori, pasi është aktorja e parë transgjinore që fiton një Oscar. Prania e Gasconit në kategorinë e lakmuar të Oskarit ka një rëndësi të veçantë, si për të, ashtu edhe për komunitetin LGBTQ+ dhe industrinë e filmit në tërësi. Nominimi i saj shënon një moment historik për komunitetin trans, duke dërguar një mesazh të fortë se diversiteti ka filluar të pranohet dhe njihet në nivele të larta.
Në historinë e filmit, Rita (Saldana) është një avokate shumë e aftë në Meksikë, e cila konsumohet nga një punë që minon potencialin e saj. Pavarësisht se është më e mira në mbrojtjen e kriminelëve të mëdhenj, asaj i është paraqitur një mundësi e papritur, me një ofertë që nuk mund ta refuzojë. Manitas (Gascon), bosi i një karteli droge, i afrohet asaj dhe i kërkon që ta ndihmojë të përfundojë një plan që e kishte në mendje prej vitesh, të tërhiqej nga bota e krimit duke ndryshuar gjininë dhe duke u zhdukur përgjithmonë. Edhe pse plani duket i vështirë dhe pothuajse i pamundur, në fund të fundit mund të ketë një zgjidhje perfekte.
Carla Sophia Gascon, edhe pse relativisht e panjohur deri vonë, arriti të spikasë në sezonin e çmimeve të këtij viti. Majin e kaluar ajo u nderua me çmimin e aktores më të mirë në Festivalin e Filmit në Kanë, së bashku me pjesën tjetër të kastit të filmit Emilia Pérez. “Nuk më është dhënë kurrë një çmim, dhe sigurisht jo i këtij niveli. Gjithçka që kisha marrë deri më tani ishin goditje”, rrëfeu ajo me emocione në ceremoninë e ndarjes së çmimeve. Më pas 52-vjeçarja transgjinore nga Alcobendas e Spanjës e pranoi çmimin me lot në sy, duke ia dedikuar atë “të gjithë njerëzve trans që vuajnë”. Në fjalimin e saj shumë emocionues, ajo dënoi urrejtjen ndaj komunitetit LGBTQ+, duke përmendur historinë e saj personale dhe vështirësitë me të cilat u përball. Fjalimi i saj përfundoi me një vërejtje: “Të shohim a do të ndryshoni o bastardë!”.
Ai fjalim e bëri atë të famshme në botë, por Gascon ka vite që punon shumë për të fituar vendin e saj në industrinë e filmit. Që nga maji i kaluar emri i saj ka qenë vazhdimisht në titujt kryesorë, ndërsa shumë kritikë pohojnë me siguri se ajo do të jetë “aktorja e parë transgjinore që do të fitojë një Oscar”.
Që në moshë të re, Carla Sophia Gascon e dinte se donte të bëhej aktore. Ajo studioi në Shkollën e Filmit në Madrid dhe filloi karrierën e saj në televizion, duke marrë role të vogla në transmetuesin publik spanjoll, RTVE.
Gjatë periudhës kur ajo njihej si Carlos Gascon, karriera e saj mori hov. Fillimisht u dallua si zëri i spektaklit La Tele es Tuya Colega (1994) në Telecinco, më pas fitoi njohje me rolin e Arturos në serialin El Águila de Fuego. Pushimi i saj i madh erdhi kur ajo udhëtoi në Meksikë, ku u vendos me paraqitjet në seriale televizive si Corazón Salvaje, të cilat i dhanë një nominim në TV & Novelas Awards.
Në vitin 2013, pjesëmarrja e saj në filmin Nosotros los Nobles konfirmoi vendin e saj në kinemanë meksikane. Pesë vjet më vonë, në 2018, ajo shpalli publikisht vendimin e saj për tranzicion, duke zbuluar identitetin e saj të vërtetë. Sot, Carla Sophia Gascon vazhdon të hartojë një karrierë të suksesshme në aktrim, ndërsa në të njëjtën kohë lufton aktivisht për të drejtat e komunitetit LGBTQ+, duke u fokusuar në sfidat e diskriminimit dhe dhunës.