Ceremonia historike sot në Tiranë/ Kryepeshkopi Joan Pelushi fronëzohet në krye të Kishës Orthodokse në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë sot do të mbahet ceremonia historike e fronëzimit të Kryepeshkopit të ri të Shqipërisë, Joan Pelushi.
Qindra besimtarë pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme për Kishën Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, duke shënuar për herë të parë uljen e një kryepeshkopi shqiptar në fronin më të lartë kishtar.
Ceremonia do të ndiqet nga përfaqësues të lartë të shtetit shqiptar dhe atij grek, si dhe delegacione nga 13 Kishat Ortodokse të botës. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, dhe kryeministri Edi Rama do të jenë të pranishëm, ndërsa është ftuar edhe kreu i opozitës, Sali Berisha.
Greqia do të përfaqësohet nga ministrja për Edukimin dhe Fenë, ndërkohë që bie në sy mungesa e kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili pati një paraqitje në ceremoninë e lamtumirës së ish-kryepeshkopit Anastas Janullatos.
Nga përfaqësuesit shtetërorë, pritet që fjalën ta mbajë vetëm presidenti Bajram Begaj, ndërsa në emër të Sinodit të Shenjtë do të përshëndesë Mitropoliti i Apolonisë, Hirësia e tij, Nikolla. Fjalimi kryesor i ceremonisë do të jetë ai i Kryepeshkopit Joan, i cili më pas do të ulet për herë të parë në fronin kryepiskopal, një detyrë që do ta mbajë për gjithë jetën.
Të dielën, Kryepeshkopi i ri do të mbajë shërbesën e tij të parë si kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ndërkohë që pritet të emërojë pasardhësin e tij në Mitropolinë e Korçës, ku ka shërbyer që prej vitit 1998