Certifikimi i 415 kursantëve të Patrullës së Përgjithshme. Proda: “Qytetarët janë të parët – t’i shërbeni me ndershmëri, guxim dhe humanizëm”

Në një ceremoni solemne të mbajtur në ambientet e Akademisë së Sigurisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, mbajti një fjalë të veçantë me rastin e certifikimit të 415 kursantëve të rinj të Patrullës së Përgjithshme. Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Ministrja e Punëve të Brendshme, znj. Koçiu, përfaqësues të misioneve që asistojnë Policinë e Shtetit, drejtues institucionesh, rektori i Akademisë, pedagogë, si dhe familjarë të kursantëve.
Në fjalën e tij, Proda e cilësoi këtë ditë si një moment të rëndësishëm për Policinë e Shtetit, Akademinë e Sigurisë dhe vetë kursantët, duke e përshkruar si fundin e një etape përgatitjeje dhe fillimin e një rrugëtimi të ri në shërbim të vendit dhe qytetarëve.

“Ju keni zgjedhur një profesion të vështirë, por fisnik. Keni zgjedhur të shërbeni, të mbroni dhe të garantoni rendin dhe sigurinë,” – u shpreh Proda, duke theksuar se ky mision kërkon ndershmëri, guxim, përkushtim dhe humanizëm.
Ai u ndal gjatë te simbolika e uniformës, duke kujtuar se për të kanë dhënë jetën qindra dëshmorë të Policisë dhe të atdheut. “Uniforma që do të mbani është simbol përgjegjësie dhe nderi. Kujtoni gjithmonë se qytetarët janë të parët. Silluni me ta me respekt dhe maturi, përmbushni çdo detyrë me ndershmëri e profesionalizëm,” – tha drejtori i përgjithshëm.
Në vijim, Proda i ftoi të rinjtë që sapo janë bërë pjesë e trupës policore të jenë shembull i korrektesës dhe respektit, duke theksuar se qytetarët presin nga brezi i ri një polici më afër njerëzve, më profesionale dhe më të drejtë.

“Në çdo situatë, busulla juaj është ligji, jo zgjidhjet personale. Punoni me pasion dhe përulësi, respektoni hierarkinë dhe bashkëpunoni me kolegët, sepse çdo veprim i juaji është pasqyra e imazhit të institucionit tonë,” – nënvizoi ai.
Në përfundim të fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm Ilir Proda u shpreh se do të jetë pranë çdo punonjësi të ndershëm e të përkushtuar të Policisë së Shtetit, por po aq i vendosur ndaj kujtdo që abuzon me detyrën ose cenon uniformën dhe besimin e qytetarëve.
“Urime për certifikimin tuaj dhe mirë se vini në familjen e madhe të Policisë së Shtetit! Ta nderoni uniformën që do të vishni dhe t’i shërbeni me krenari flamurit dhe atdheut. Suksese të gjithëve!” – përfundoi Proda, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.




