Çfarë i ndodhi Dwamenës? Mjeku Brataj: Aktiviteti fizik, armik kryesor i patologjisë së tij
“Mjekët e këshilluan disa herë ndërsa zoti e fali dy herë, hera e tretë”
Kreu i qendrës Kombëtare të Ugjencës Dr. Skënder Brataj thekson se lojtari ganez Rafael Dwuamena nuk duhej të lejohej të luante futboll për shkak të patologjisë kardiomiopati hipertrofike apo zmadhimit të zemrës siç njihet ndryshe dhe që kishte pasur dy episode të tjera në fushë më herët.
“Shkencërisht dhe nga ana mjekësore lojtari nuk duhej të luante futboll aq më keq në një lojtar që ishte diagnostikuar me një kardiomiopati hipertrofike. Kjo patologji me kalimin e kohës rrit muret e zemrës e dhomave kardiake, krijon insuficiencë të valvulave dhe rrit nevojat për oksigjen të vet miokardit gjë e cila është e pamundur në një sforco fizike ku nevojat shtohen disa herë për të furnizuar me oksigjen edhe vetë muskulin e zemrës, gjë e cila e çon në aritmi vdekje prurëse”– tha Brataj.
Kardiomiopatia hipertorifike mund të shfaqet me lipotimi të shoqëruara me humbje të vetëdijes arrest respirator dhe arrest kardiak të cilat sportisti i ka shfaqur dy herë të tjera. Në Shqipëri u mjaftuan që parametrat shëndetësorë ti kishte në rregull përpara fillimit të ndeshjes.
“Parametrat jetësorë në momentin e luhatjes sigurisht që i ka mirë sepse presionin e ka mirë, frekuencën e ka mirë frymëmarrjen e vetëdijen, oksigjenin në gjak sepse ai është një sportist sigurisht që i ka mirë në momentin e ndeshjes, por patologjia poshtëshënuar është domethënëse dhe krejtësisht e ndaluar. Nuk e di por shpresoj dhe besoj që edhe vetë lojtarit ia kanë bërë të qartë se çfarë risku ai ka, pavarësisht që pasioni, dëshira, jeta e tij ishte futbolli. Mjekët e këshilluan disa herë ndërsa zoti e fali dy herë, hera e tretë… sepse zemra vazhdon e zmadhohet në një sforco fizike të përhershme, permanente, sepse nuk është vetëm ndeshja por është edhe stërvitja çdo ditë, aktiviteti fizik është një nga armiqtë kryesorë të kësaj patologjie”- tha shefi i urgjencës.
Brataj thekson që edhe në sport duhen përcaktuar mirë rregullat e lojës.
“Si në çdo fushë edhe në futboll ka një boshllëk të madh legjislativ gjë e cila nuk është shkruar asgjëkundi të luajë apo të mos luajë ky lojëtar ne Shqipëri. Ju kujtohet Erikseni dy vjet më parë i ndodhi e njëjta gjë. U kthye në jetë por nuk u lejua më të luajë në Itali sepse shteti italian nuk lejon sportistë të luajnë në këtë gjendje dhe ai ka vendos një defibrilator dhe ka ik në Angli të luajë se atje lejohet. Kështu që janë shtete të ndryshëm apo Federata e kanë apo se kanë në rregulloren e tyre. Kështu që duhet të jetë e shkruar diku ose në rregullore të brendshme të Federatës ose të ketë një ligj që në këtë lloj sporti me këto lloj patologjish nuk lejohet të luash”- përfundoi Brataj./ Top Channel