Çifti nga Fieri kapen në Kakavijë me 63 kg kanabis, arrestohen nga policia

Një operacion i Policisë Kufitare në Kakavijë ka çuar në arrestimin e dy shtetasve nga Fieri, të cilët tentuan të trafikonin drejt Greqisë 63.2 kilogramë kanabis të fshehur në automjetin e tyre.
Gjatë kontrolleve me teknologji të avancuar dhe qen antidrogë, në makinën e tyre u zbuluan 60 pako me lëndë narkotike, të fshehura në parafangot dhe shasinë e automjetit.
Të arrestuarit janë Osman Kamberaj, 44 vjeç, dhe Enkeleda Xhemali, 45 vjeçe, të dy banues në Fier. Përveç drogës, policia sekuestroi edhe 1890 euro, tre celularë dhe automjetin e përdorur për trafikim.
Operacioni i koduar “Modifikimi” është pjesë e luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Hetimet vijojnë për të zbuluar persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal, ndërsa materialet procedurale i janë dorëzuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
Njoftimi i Policisë:
PKK Kakavijë
Finalizohet operacioni policor i koduar “Modifikimi”.
Falë kontrolleve të shtuara të Policisë Kufitare bazuar dhe në inteligjencën policore, parandalohet dhe goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike drejt Greqisë.
Gjatë kontrolleve intensive me mjete logjistike bashkëkohore dhe duke përdorur dhe qenin antidrogë, Policia gjen të fshehura në brendësi të një automjeti, 60 pako me lëndë narkotike Cannabis Sativa, me peshë totale 63.2 kilogramë.
Vihen në pranga drejtuesi i automjetit ku u gjet lënda narkotike dhe një shtetase që udhëtonte me të.
Gjatë kontrollit fizik të dy shtetasve, Policia gjeti dhe 1890 euro.
Shërbimet e Policisë Kufitare si rezultat i kontrolleve të imtësishme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për trafikim të lëndëve narkotike, si rezultat i intensifikimit të kontrollit, bazuar dhe në analizën e riskut dhe inteligjencës policore, në bashkëpunim me autoritetet doganore, kanë kaluar për kontroll të detajuar në vijën e dytë, në dalje, automjetin që drejtohej nga shtetasi O. K.
Nga kontrolli i imtësishëm, duke përdorur edhe teknikat bashkëkohore të kontrollit, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura në një vend të fshehtë të krijuar posaçërisht në parafangot e automjetit dhe në shasinë e automjetit, 60 pako të mbështjella me natriban, brenda të cilave kishte lëndë narkotike të dyshuar Cannabis Sativa, me peshë totale 63.2 kilogramë.
Në vijim të veprimeve të para hetimore, specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve të DVP Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasit:
-O. K., 44 vjeç, banues në Fier, shoferi i automjetit;
-E. Xh., 45 vjeçe, banuese në Fier, pasagjere në automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 63.2 kilogramë Cannabis Sativa, 3 celularë, automjeti dhe 1890 euro.
Strukturat e DVP Gjirokastër në bashkëpunim me DVP Fier në drejtimin e Prokurorisë Gjirokastër po vazhdojnë kryerjen e veprimeve hetimore për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet proceduarale do ti kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.