Një javë më parë në Athinë u vra një tifoz i skuadrës së AEK. Mihalis Katsouris u godit me thikë gjatë trazirave 1 ditë përpara ndeshjes mes AEK Athina dhe Dinamo Zagreb. Takimi ishte i vlefshëm për raundin e tretë eleminator të Champions League.
Në sfidën e parë që do të luhej në Athinë tifozë kroatë të Dinamos e kishin të ndaluar nga UEFA të ishin në stadium për shkak të trazirave të mundshme mes huliganëve. Por 150 prej tyre gjetën një mënyrë se si të ishin në kryeqytetin helen një ditë përpara ndeshjes dhe këtu u konfliktuan me tifozët vendas.
Gjatë përleshjes, 29 vjeçari Katsouris humbi jetën pasi u godit me thikë. Siç raportohej nga mediat greke për ditë me rradhë ai ishte goditur nga tifozë kroatë, por pamjet që dolën mbrëmjen e djeshme tregojnë se si humbi jetën tifozi i AEK.
Ai ishte veshur me një bluze ngjyrë blu dhe duket teksa ikën me vrap. Por ndiqet nga një grup huliganësh të cilët e godasin me shkop dhe thikë. Goditësit mendohet të jenë tifozë grek gjithashtu dhe jo kroatë.
Për shkak të plagëve të marra Katsouris më pas futet në një market, ku humbi edhe jetën për shkak të plagëve të marra. Ndërkohë hetimet ende nuk kanë nxjerrë fajtorët për ngjarjen, ndërsa 80 tifozë kroat të Dinamo Zagreb mbahen në qelitë e paraburgimit.