Darëzeza kthehet në pistë garash me kuaj për festat e Nëntorit
Bregdeti i Darëzezës u kthye këtë të dielë në një pistë spektakolare garash me kuaj, në kuadër të festimeve të 28-29 Nëntorit. Në aktivitet morën pjesë 16 kalorës nga Shqipëria, Lugina e Preshevës dhe Kosova.
Komisjoneri Indrit Plangaj u shpreh se gara u zhvillua me pjesëmarrjen e 4 klubeve sportive, ku garuesit konkurruan në tre gara shpejtësie me gjatësi 2 dhe 3 kilometra. Ai bëri apel për më shumë mbështetje nga shteti për sportin e hipizmit, duke theksuar se ka ardhur koha që Shqipëria të përfaqësohet në turne ndërkombëtare.
Në përfundim të aktivitetit, i cili u ndoq nga dhjetëra qytetarë të moshave të ndryshme, u shpallën 9 fituesit e vendeve të para, të dyta dhe të treta në të tre garat. Fieraku Beso Shkrela, me kalin Luna, triumfoi sërish, duke marrë ovacione nga të pranishmit.
Kalorësi fitues Eduart Cinga u shpreh i emocionuar dhe u bëri thirrje të apasionuarve pas hipizmit t’i bashkohen këtij sporti të veçantë.
Vija bregdetare e plazhit të Darëzezës vijon të shërbejë si pistë natyrore për aktivitete të ndryshme sportive, duke tërhequr çdo vit interes të madh nga publiku.




