Deklarata e babait të 5-vjeçares nga Peshtani: Gjyshi u akuza për ab*zim, një inskenim nga ish-bashkëjetuesja

Një ngjarje e rëndë është raportuar së fundmi në fshatin Peshtan, Fier, ku një 55-vjeçar, Vladimir Gjata, akuzohet për abuzim ndaj mbesës së tij 5-vjeçare. Por babai i vajzës, Ageljano Gjata, e ka mohuar kategorikisht këtë akuzë, duke e cilësuar si një inskenim të qëllimshëm nga ana e ish-bashkëjetueses së tij, Anës.
Në një deklaratë për mediat, 31-vjeçari Ageljano tha se vajza, Marjana, ishte braktisur nga nëna që në moshën 6-muajshe dhe se për shkak të kushteve të vështira ekonomike, ai ia kishte besuar kujdesin prindëror prindërve të tij, ndërsa vetë detyrohej të punonte jashtë.
“Marrëdhënia e tyre është shumë e ngushtë. Janë të pandarë me njëri-tjetrin,” – tha Ageljano. Sipas tij, në takimin e fundit në një hotel në Fier, e ëma kishte pyetur vajzën nëse gjyshi e ngacmonte, dhe vogëlushja kishte pohuar, por vetëm në kuptimin që ai e përkëdhelte në shpinë për ta ndihmuar të flinte.
Ai akuzon ish-bashkëjetuesen se po përpiqet të përfitojë kujdestarinë e vajzës përmes akuzave të rënda dhe të pabaza, ndërsa kërkoi nga organet e drejtësisë kujdes maksimal në trajtimin e çështjes.
Ndërkohë, 5-vjeçarja ndodhet në shtëpinë e të atit dhe, siç tregon Ageljano, kërkon me dëshpërim gjyshin e saj. Ai shton gjithashtu se në komunikimin me prindërit e ish-bashkëjetueses, është këshilluar që të ndjekë rrugën ligjore për të mbrojtur veten dhe familjen.
Nga ana tjetër, banorët e Peshtanit kanë mbetur të shokuar nga lajmi, duke deklaruar se nuk e njihnin 55-vjeçarin si person problematik.
Aktualisht, Vladimir Gjata ndodhet në ambientet e Komisariatit të Policisë Fier, në pritje të seancës gjyqësore ku do të dalë përballë drejtësisë.