Dëmtimet në aksin Librazhd-Pogradec, Prokuroria nis hetimet: Sekuestrohen dosje me dokumentet e tenderave

Reagimi i Prokurorisë së Elbasanit erdhi pas një situate alarmante të krijuar prej ditës së djeshme, ku përtej dëmtimeve të pësuara në aksin rrugor, rrëshqitjet e tokës rrezikojnë edhe linjën hekurudhore, si dhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir…
Prokuroria e Elbasanit ka hapur hetim kryesisht ndaj kompanisë që po realizon punimet për zgjerimin e Korridorit VIII në zonën e Dragostunjës, ku ndodhi rrëshqitja masive e tokës.
Hetimi do të fokusojë tek shkaqet që çuan në shembjen e rrugës, linjës hekurudhore dhe linjave elektrike, si dhe rreziqet e mëtejshme për zonën.
Prokuroria, në bashkëpunim me institucionet kompetente, do të verifikojë ligjshmërinë e lejes për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimin e saj.
Objekt i hetimit është e gjithë rruga nga Peqini në Qukës, në zonën që mbulon kompetencën e Prokurorisë së Elbasanit, për shkak të shfrytëzimit të masiv të lumit Shkumbin në disa segmente.
“Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”, parashikuar respektivisht nga nenet 248, 258, 155 dhe 201 të Kodit Penal.”, thuhet në njoftim.
Nga raportimet mësohet se prej orëve të para të mëngjesit të së dielës, një grup ku përfshihen përfaqësues të Prokurorisë, Policisë Shkencore dhe IKMT, kanë nisur verifikimet në terren mbi aktivitetin e një kompanie që dyshohet se ka ushtruar shfrytëzim të lumit për marrjen e inerteve.
Kontrollet përfshijnë dokumentacionin mbi lejen për shfrytëzim, koordinatat e miratuara të ndërhyrjes, si dhe nëse janë respektuar sasitë e lejuara të materialeve të nxjerra.
Reagimi i Prokurorisë së Elbasanit erdhi pas një situate alarmante të krijuar prej ditës së djeshme, ku përtej dëmtimeve të pësuara në aksin rrugor, rrëshqitjet e tokës rrezikojnë edhe linjën hekurudhore, si dhe linjën elektrike me tension të lartë 110 KV, duke rritur rrezikun për ndërprerje të energjisë dhe pasoja të tjera zinxhir.
Dy kompanitë me lidhje politike me Ramën
Kompania “2T” ka qenë përgjegjëse për mirëmbajtjen e aksit Librazhd–Hotolisht. Mirëpo, në momentin që pati rrëshqitje dherash para një muaji, situata u mor nën kontroll nga kompania “ANK”, e cila po ndërton edhe lotin e katërt të Korridorit VIII, pra pikërisht pjesën ku ka shembje. Dhe është kjo kompani e cila duhet të mbajë mbi supe përgjegjësinë e kaosit të krijuar sot.
“ANK” drejtohet nga vëllezërit Ndue dhe Agim Kola dhe kjo kompani shquhet për të tilla raste. Pak muaj më parë u shemb edhe aksi Korçë–Ersekë, i ndërtuar nga e njëjta kompani. Ndue Kola ka qenë deputet i PS-së dhe kompania ka marrë shumë tenderë nga Edi Rama, për të mos thënë se është ndër kompanitë pranë qeverisë. Për aksin Librazhd–Elbasan, vëllezërit Kola ndanë 50 mln euro me vëllezërit Sako të “2T”.
Kompania “ANK” është shpallur fituese e procedurës “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë–Thanë (Faza IV)”, me fond limit në të njëjtën vlerë, 23.6 milionë euro.
Kompania “2T” shpk, me aksioner kryesor Artan Sakon, vëllain e kryebashkiakut socialist të Tepelenës, Gramoz Sako, është shpallur fituese në tenderin e zhvilluar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, “Zgjerimi i rrugës Elbasan–Qafë–Thanë (Faza III)”, me fond limit 23.6 milionë euro.
Në të dy tenderët kanë marrë pjesë nga 6 kompani, në të cilët gjysma prej tyre janë skualifikuar.
Në procedurën e parë, kompania “2T” shpk është shpallur fituese me ofertën 21.4 miliardë lekë të vjetra, ndërsa kompania “ANK” ka dalë humbëse, pasi ka paraqitur ofertën 22.8 miliardë lekë të vjetra.
Në procedurën e dytë, shoqëria e familjes Kola ka dhënë ofertën më të ulët, në shifrën afërsisht 21 miliardë lekë të vjetra. Ndërsa shoqëria “2T” ka rezultuar humbëse, pasi ka paraqitur ofertë më të lartë, në vlerën 22.8 miliardë lekë të vjetra, saktësisht aq sa ishte oferta humbëse e kompanisë “ANK” në tenderin e parë. Pra, duket se ka pasur koordinim mes tyre.
Kompania “2T” shpk, me pronar në letra Artan Sako, ishte disa ditë më parë objekt kontrollesh të befasishme nga BKH-ja, në kuadër të hetimit të aferave korruptive me veprat publike, kryesisht rrugët. Në vitin 2013, kur PS-ja erdhi në pushtet, “2T” ishte një kompani modeste dhe pothuajse e panjohur. Gjatë pushtetit socialist, për shkak të lidhjeve politike dhe funksioneve publike të vëllait të Artan Sakos, Gramoz Sako, kompania jo vetëm ka dhjetëfishuar xhiron vjetore, por u shndërrua në një nga firmat kryesore përfituese të parave publike.




