Deputeti i PD-së pretendoi se i tregoi armën, policia zbulon se çfarë mbante në brez efektivi i FNSH-së
Policia ka zbuluar se çfarë mbante në brez efektivi i FNSH-së gjatë përplasjes së sotme me deputetët e opozitës në oborrin e Parlamentit, pasi këta të fundit pretenduan se polici u tregoi armën.
Policia e Shteti ka nxjerë pamjet duke treguar se efektivi i FNSH-së mbante një sprai me spec djegës.
Gjithashtu uniformat blu kanë pretenduar se asnjë punonjës policie nuk ka pasur armë me vete.
Në një reagim për mediat, Policia thekson se asnjë nga efektivët e angazhuar në tubimin para parlamentit nuk ka qenë i armatosur.
Ndërkohë që më herët në një videot të shpërndarë nga PD, vihet re se një prej efektivëve te FNSH gjatë përplasjes me deputetin Luan Baçin, vendos dorën tek vendi ku mbahet arma e shërbimit.
Demokratët e kanë konsideruar si kërcënim ndaj jetës së deputetëve dhe pas këtij episodi kanë shpërthyer në përplasje fizike, duke i përzënë nga ambienti i parlamentit.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, me mbështetjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë, kanë marrë të gjitha masat për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe për mbarëvajtjen e tubimit të organizuar para bashkisë Tiranë.
Gjatë tubimit është bërë thirrje që pjesëmarrësit t’i drejtoheshin Godinës së Kuvendit.
Shërbimet e Policisë, konform ligjit, forcat policore kanë marrë masa për të garantuar sigurinë e institucioneve shtetërore ne rastin konkret te Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për të parandaluar një sulm të mundshëm nga protestuesit ndaj këtij institucioni.
Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnje punonjes policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome.
Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit.
Policia e Shtetit është e vendosur për të garantuar të drejtën e tubimit, liritë dhe të drejtat e tjera të qytetarëve, si dhe pronën publike dhe atë private.
Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori.