Detaje të reja nga kërcënimi ndaj Vasil Bedinajt/ Policia në ndjekje të autorëve, aksidentohet automjeti me 3 persona, gjendet një pistoletë
VLORË – Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e raportuar më herët në resortin “Rexhina” në Orikum, ku është kërcënuar pronari i resortit, biznesmeni Vasil Bedinaj.
Policia e Vlorës ka konfirmuar zyrtarisht ngjarjen, duke bërë me dije se rreth orës 11:30, pronari i një resorti në Vlorë ka njoftuar Policinë se persona të armatosur po konfliktoheshin me të.
Pas njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë drejt adresës dhe kanë ngritur pika kontrolli në zona të ndryshme, në përpjekje për të identifikuar dhe kapur personat e përfshirë.
Një prej pikave të kontrollit ka qenë në afërsi të Pusit të Mezinit, ku efektivët kanë konstatuar një automjet që lëvizte me shpejtësi. Policia është vënë në ndjekje të automjetit, por drejtuesi ka humbur kontrollin dhe është aksidentuar.
Në automjet janë gjetur tre shtetas. Dy prej tyre kanë mbetur të dëmtuar si pasojë e aksidentit, ndërsa personi i tretë nuk ka pasur probleme shëndetësore.
Gjatë kontrollit të automjetit, Policia ka gjetur një armë zjarri, pistoletë, e cila është sekuestruar.
Ndërkohë, kontrollet janë shtrirë edhe në akse të tjera rrugore. Pikë kontrolli është ngritur edhe në mbikalimin e Levanit në Fier, ndërsa shërbimet e Policisë së Vlorës, në bashkëpunim me disa drejtori të tjera vendore të Policisë, po vijojnë kontrollet për kapjen e personave të tjerë të përfshirë.
Policia ka ngritur një grup të posaçëm hetimor, i cili, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë.
Në informacionin zyrtar paraprak, Policia nuk ka konfirmuar ende detajet e raportuara më herët lidhur me shumën prej 5 milionë eurosh që dyshohet se i është kërkuar biznesmenit, ndërsa hetimet vijojnë.
Autoritetet bëjnë me dije se, për shkak se veprimet janë dinamike, pas përfundimit të veprimeve të para hetimore do të ketë një njoftim më të plotë për ngjarjen.




