Dhunoi ish-bashkëshorten në sy të policëve në mes të Tiranës, arrestohet 31-vjeçari (VIDEO)
Pas publikimit të një video nga mediat ditën e djeshme, ku shihen dy persona duke u konfliktuar me njëri-tjetrin, policia ka shoqëruar në komisariat 31-vjeçarin me inicialet J.C dhë në vijim të hetimeve e kanë arrestuar për veprën penale “Dhunë në familje”.
Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, ngjarja ka ndodhur në sheshin “Skënderbej”, sakaq në prani kanë qenë dhe katër policë.
Njoftimi i policisë: Reagim i DVP Tiranë
Në lidhje me një video të postuar ditën e djeshme në portalin JOQ, në të cilën shfaqen dy shtetas që konfliktohen fizikisht me njëri-tjetrin, në sheshin “Skënderbej”, ju sqarojmë se:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 menjëherë pas publikimit të pamjeve kanë organizuar punën për identifikimin e personave që shfaqen në video dhe kanë shoqëruar në komisariat autorin e dyshuar, shtetasin J. C., 31 vjeç.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3 bënë arrestimin e tij për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi në sheshin “Skënderbej” ka ushtruar dhunë ndaj ish-bashkëjetueses.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.