“Dilni nga shtëpitë dhe rrihni çdo polic që mbron hajdutët”/ Nën hetim avokati Genc Gjokutaj, shkaku thirrjet për veprime të dhunshme në rrjetet sociale
Avokati Genc Gjokutaj është vënë nën hetim për veprën penale “thirrje publike për veprime të dhunshme”, pasi përmes një statusi në rrjetin social u kërkoi ndjekësve “të dalin nga shtëpia dhe të rrahin çdo polic që mbron hajdutët”.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike në DVP Tiranë, kanë referuar materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në ngarkim të shtetasit G .Gj., me profesion avokat, për veprën penale “Thirrjet publike për veprime të dhunshme“, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal.
Procedimi ndaj këtij shtetasi filloi pasi gjatë monitorimit të vazhdueshëm të burimeve të hapura të informacionit nga ana e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, është konstatuar një postim, i publikuar nga shtetasi G. Gj., i cili bën thirrje për të kryer veprime të dhunshme, postim ky i cili konstatohet se është publikuar dhe në media të ndryshme online. Materialet i kaluan Prokurorisë.