Dita nis me reshje shiu, si pritet të jenë sot temperaturat
Orët e para të mëngjesit do të sjellin kalime të shpeshta të vranësirave, të cilat do të gjenerojnë reshje të izoluara dhe të pakta shiu në ultësirën perëndimore. Ndërsa rrebeshe shiu do të ketë në zonat malore, kryesisht në veri dhe disa zona në qendër të territorit. Pas mesditës pritet përmirësim i kushteve të motit në bregdet dhe zonat e ulëta ndërsa mbeten me reshje të pakta zonat malore të Shqipërisë, më të dukshme reshjet paraqiten në Verilindje të vendit.
Temperaturat e ajrit do të ulen sërish në mëngjes, por do të rriten në mesditë duke luhatur vlerat ditore nga 16°C deri në 31°C. Era do të fryjë mesatarisht me shpejtësi 45 km/h nga drejtimi Verior dhe Veriperëndimor, duke krijuar në brigjet detare dallgëzim mbi 3 ballë.
Kosova
Republika e Kosovës gjatë paradites do të jetë me alternime kthjellimesh dhe kalime vranësirash në të gjithë territorin e vendit. Ndërsa gjatë mesditës dhe pasdites parashikohet që vranësirat të zhvillohen duke gjeneruar rrebeshe shiu në të gjithë Kosovën. Mbeten prezente reshjet e shiut gjatë mbrëmjes dhe natës në të gjithë territorin e Kosovës, por më të fokusuara do të jenë në zonat Lindore. Temperatura maksimale do të regjistrohet në Gjakovë me 28 gradë C.
Maqedonia e Veriut
Pjesa e parë e ditës parashikohet të dominohet nga intervalet me kthjellime dhe kalimet e shpeshta të vranësirave, të cilat më të dukshme do të jenë në zonat perëndimore të Maqedonis. Ndërsa në orët vijuese vranësirat do të shtohen duke sjellë rrebeshe shiu në të gjithë territorin e MV. Pritet që mbrëmja dhe nata vonë të dobësojnë reshjet në një pjesë të mirë të vendit, por mbeten prezente dhe më të theksuara do të jenë në zonat Verilindore.
Europa
Gadishulli Skandinav si edhe rajoni i Balltikut do të jenë nën mbizotërimin e vranësirave të shpeshta të cilat do të gjenerojnë reshje shiu ku herë pas here do të jenë rrebeshe. Gjithashtu nën mbizotërimin e vranësirave të shumta do të jetë gadishulli i Ballkanit ku priten rrebeshe shiu, breshër si edhe stuhi të forta ere. Ndërsa pjesa më e madhe e kontinentit Europian do të dominohet nga moti i qëndrueshëm, duke bërë që të ketë alternime kthjellimesh dhe vranësirash kalimtare.