Divjakë – 2 të arrestuar për organizim të lojërave të fatit, finalizohet operacioni “Chat” nga Policia e Fierit

Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier ka finalizuar me sukses një operacion të koduar “Chat”, që kishte në fokus goditjen e veprimtarive të paligjshme të lojërave të fatit.
Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë i dy shtetasve:
- A. Ç., 51 vjeç, pronar i lokalit;
- E. Ç., 34 vjeç, punonjës i paregjistruar si kamerier.
Lokalit në fshatin Karavasta e Re, i cili nuk ishte i regjistruar pranë organeve kompetente, ishte përshtatur për zhvillimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin. Gjatë kontrollit, u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:
- 7 njësi kompjuterike;
- 3 celularë, të përdorur për aktivitetin e paligjshëm.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Fier për veprime të mëtejshme ligjore.
Policia e Fierit thekson se do të vijojë kontrollet dhe goditjet ndaj çdo aktiviteti të jashtëligjshëm, veçanërisht atyre që cenojnë rendin dhe sigurinë ekonomike.