Divjakë – Finalizohet operacioni policor “Kontaktet”, arrestohet një 27-vjeçar për shpërndarje droge
Policia e Fierit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve, Seksionin për Mbështetjen Operacionale dhe Komisariatin e Policisë Divjakë, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Kontaktet”, duke goditur një rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytetin e Divjakës.
Gjatë operacionit, u arrestua në flagrancë shtetasi L. H., 27 vjeç, banues në fshatin Bishtçukas. Sipas policisë, i riu siguronte kokainë dhe cannabis, i ndante në doza në banesën e tij dhe i shpërndante në qytet.
Gjatë kontrollit të ushtruar, u gjetën dhe u sekuestruan 142 gramë kokainë, 205 gramë cannabis sativa, dhjetëra doza të gatshme për shitje, pajisje për ndarjen e drogës në doza, një shumë parash në valuta të ndryshme, 6 celularë dhe 1 automjet.
Materialet procedurale i janë kaluar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme. Policia e Fierit mbetet e angazhuar në luftën kundër veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të ngjashëm përmes linjës së besuar 112.
Njoftim i DVP Fier:
Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe Komisariati i Policisë Divjakë, operacioni policor i koduar “Kontaktet”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.
Siguronte kokainë dhe cannabis dhe i ndante në doza në banesë për t’i shitur në qytetin e Divjakës, arrestohet në flagrancë 27-vjeçari.
Sekuestrohen qese me kokainë e cannabis në formë boçeje, dhjetra doza kokainë e cannabisi gati për shitje, pajisje për ndarjen e lëndëve narkotike në doza, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet.
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara në rrugë operative, për një shtetas që siguronte, përgatise dhe shpërndante lëndë narkotike në doza, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Fier, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale të Hetimit dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Divjakë, finalizuan operacionin policor të koduar “Kontaktet”.
Gjatë operacionit, u kap në flagrancë, me doza kokaine dhe cannabisi, me vete, shtetasi L. H., 27 vjeç, banues në fshatin Bishtçukas.
Më tej, u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku u gjetën sasi të tjera të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis, që ishin siguruar dhe ndarë në doza, me qëllim shitjen.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 142 gramë Kokainë, 205 gramë Cannabis Sativa, dhjetra doza kokainë e kanabis, pajisje për përgatitjen e lëndëve narkotike në doza për shitje, shuma parash në valuta të ndryshme të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike, 6 celularë dhe 1 automjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.