Divjakë: Nderohen me çmimin “Aristidh Kola” Nderi Kombit Personalitete të medias, artit dhe kulturës

Qyteti i Divjakës këtë fundjavë u kthye në qendrën e një aktiviteti të veçantë kulturor dhe mediatik, ku u zhvillua ceremonia e ndarjes së çmimeve “Aristidh Kola – Nderi i Kombit” në gazetari, edicioni i gjashtë.
Aktiviteti u organizua nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë, Dega Fier dhe media online Newsalbania.com, me drejtor gazetarin Vladimir Muça, me mbështetjen e Bashkisë Divjakë, Shoqatës Kombëtare Kulturore “Ress Egnatia” dhe Shoqatës “Apollonia”.
Salla e Shtëpisë së Kulturës në Divjakë u mbush me gazetarë, personalitete të kulturës, artit dhe qytetarë, ndërsa atmosfera festive u shoqërua me emocione dhe duartrokitje. Aktiviteti u çel me Himnin Kombëtar dhe u moderua nga gazetarja Alida Lula.
Në fjalën përshëndetëse, drejtori i Newsalbania.com, Vladimir Muça, foli për rrugëtimin e këtij çmimi prestigjioz, që tashmë ka mbërritur në edicionin e tij të gjashtë, si dhe njoftoi krijimin dhe regjistrimin e Shoqatës “Aristidh Kola Nderi i Kombit”, lajm i cili u prit me entuziazëm nga të pranishmit.
Gjatë aktivitetit u vlerësua figura dhe kontributi i studiuesit dhe patriotit të shquar Aristidh Kola, një nga personalitetet më të njohura të botës arvanitase, me origjinë nga Divjaka. Mbi jetën dhe veprën e tij folën Kryetari i Bashkisë së Divjakës Josif Gorrea, akademiku Shezai Rrokaj dhe profesori Bardhosh Gaçe.
Ceremonia u shoqërua edhe me program artistik nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Divjakës, ku spikati interpretimi i këngëtares së re Marlind Janko.
Juria profesioniste, e përbërë nga gazetarët Anila Hoxha, Besim Dybeli dhe Ilir Krasniqi nga Prishtina, përzgjodhi për këtë vit fituesit e çmimit:
• Profesor Bardhosh Gaçe – pedagog në Universitetin e Vlorës
• Valbona Davidhi – gazetare, Fier
• Artan Hoxha – gazetar investigativ
• Silvana Braçe – gazetare dhe moderatore
• Filip Çakulli – gazetar
• Luftar Paja – aktor
• Engjëll Seriani – gazetar
Të vlerësuarit u shprehën të emocionuar dhe të nderuar për marrjen e këtij çmimi që mban emrin e një prej studiuesve më të guximshëm të çështjes shqiptare dhe të arvanitasve.
Në kuadër të aktivitetit, gjatë një dreke pune të organizuar nga kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorrea, u diskutua mbi projekte që lidhen me vlerësimin e figurës së Aristidh Kolës, mes të cilave emërtimi i një rruge me emrin e tij, vendosja e bustit në qendër të qytetit dhe akordimi i një fondi të përvitshëm për zhvillimin e aktiviteteve përkujtimore në nder të tij.
Gazetarët e pranishëm vizituan gjithashtu lagunën e Divjakës, duke u njohur nga afër me pasuritë natyrore, florën dhe faunën e zonës.




