“Djali vijon të ketë dhimbje stomaku”/ Nëna e një fëmije të infektuar me salmonelë: Kemi 8 ditë në ankth, kërkoj siguri për ushqimin në kopsht

Prindërit e fëmijëve të infektuar me salmonelë në një kopsht në Gramsh kanë protestuar sot, duke kërkuar transparencë dhe masa të menjëhershme për të garantuar sigurinë ushqimore. Në një prononcim për “News24”, një nënë tregoi shqetësimin e saj për gjendjen e djalit të saj, i cili vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre edhe pas disa ditësh trajtimi.
“Fëmija është infektuar me salmonelë. Vijon të ketë dhimbje stomaku dhe diarre. Kam edhe një vajzë tjetër, i kemi bërë analizat dhe jemi në pritje të përgjigjeve. Fillimisht menduam se ishte thjesht temperaturë dhe e trajtuam me medikamente për virozë, por më vonë mësuam se ishte salmonelë. Kemi tetë ditë që jetojmë me ankth. Kërkoj siguri për ushqimin që u jepet fëmijëve tanë,” u shpreh ajo.
Rasti ka ngritur shqetësime në komunitet, ndërsa prindërit kërkojnë përgjegjësi dhe kontrolle më të rrepta në institucionet arsimore për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen.
Nëna e një fëmije të infektuar: Fëmija është infektuar me salmonelë. Fëmija vijon të ketë dhimbje stomaku e diarre. Kam dhe një vajzë, kemi çuar analizat dhe presim përgjigje. Në fillim mendonim se ishte temperaturë. E kemi kuruar me medikamente për virozë dhe më pas kemi marrë vesh se është me salmonelë. Kemi 8 ditë që jemi në ankth. Kërkoj siguri për ushqimin.