Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës
Në lidhje me një video të publikuar në rrjete sociale, në të cilën shfaqen 2 punonjës policie që gjatë kryerjes së veprimeve procedurale për arrestimin e një shtetasi, përdorin fjalor joetik, ju bëjmë me dije se:
Më datë 26.06.2023, janë arrestuar shtetasit E.D., 27 vjeç dhe G. S., 26 vjeç, pasi gjatë kontrolleve fizike, 27-vjeçarit i është gjetur një mjet prerës (thikë), ndërsa shtetasit G. S. i është gjetur një sasi lënde narkotike cannabis sativa. Gjithashtu, te dy këta shtetas kanë përdorur forcën kundër punonjësve të Policisë, për t’i ndaluar të kryejnë veprimet procedurale për rastin.
Drejtoria e Standardeve Profesionale të DPPSH dhe AMP-ja, menjëherë sapo kanë marrë njoftim në lidhje me komunikimin joetik të punonjësve të Policisë, më datë 27.06.2023 kanë nisur hetimin administrativ për këta punonjës policie që shfaqen në këtë video, për veprimet e tyre, si dhe për fjalorin joetik të përdorur gjatë përmbushjes së detyrave funksionale.
Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët që denoncojnë raste të paligjshmërive të ndryshme, si dhe i siguron ata se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë, do të reagojnë menjëherë, me paanshmëri dhe konform ligjit.