“Do t’ju hamë të gjallë…”/ Rama ironizon sërish Alizotin, e krahason me një bretkosë: Vajmedet…

Kryeministri Edi Rama ka ironizuar sërish këtë mëngjes drejtuesin politik të Partisë Demokratike në Elbasan, Tomor Alizotin.
Rama ka zgjedhur ta krahasojë Alizotin me një bretkosë. Përmes një videoje montazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Rama ka vendosur imazhin e një amfibi mbi fytyrën e Alizotin, ndërsa në sfond dëgjohet deklarata që ai bëri dje nga Librazhdi drejtuar socialistëve: “Do t’ju hamë të gjallë nëse prekni demokratët”.
“Vajmedet vajmedet… Mirë lajthitën e rrëshqitën po pse të tërë menjëherë, do thoshte Shvejku“, shkruan Rama krahas videos.
“Juve do iu hamë të gjallë nëse prekni demokratët, nëse vendosni mina s’do ju ndahemi kudo ku jeni. Ju që doni të shkatërroni Shqipërinë, ju analfabetë, ju maskarenj , do ju hamë të gjallë. Mos guxoni t’iu shkoni njerëzve nëpër shtëpia natën, mos guxoni të fusni duart ditën e zgjedhjeve. Doktor, jepi se ty të kanë më shumë frikë”, tha ai.
Kësaj deklarate Rama iu përgjigj edhe një ditë më parë nga Kuçova, duke e quajtur Alizotin ‘Ludoviku’.
“Ludoviku thoshte ‘do u hamë të gjallë’. Kështu Ludovik i them Tomor Alizotit, për shkak të një personazhi në një film. Ky është çyryk, nuk është normal. Ishte një tjetër thoshte se nën këtë qeveri të poshtër, kanë ikur 1 milion lekë, por gaboi, se donte të thoshte 1 milion njerëz. Ata janë njësha, njëri më i lodhur se tjetri, njëri më i mbaruar se tjetri, çohen që në pikë të mëngjesit, pinë ujë kënete dhe e spërkasin. Natën thonë se populli është i sëmurë, edhe pse sondazhet thonë se PS fiton”, tha Rama.