Dosja e SPAK/ Zbardhet roli i shoferit të biznesmenit Gjoka, ndihmoi autorët e vrasjes së Gjin Ndojit për tu larguar, lidhja me atentatin ndaj Musabelliut
Zbardhen detaje të reja mbi rolet e personave të arrestuar për 4 ngjarje kriminale. Ish-efektivi i policisë që prej disa kohësh shërbente si shofer i biznesmenit Pëllumb Gjoka, në vrasjen e Gjin Ndojit dhe atentatin ndaj Kleant Musabelliut kishte rol aktiv.
Në dosjen hetimore të SPAK, evidentohen prova që krijojnë dyshime të arsyeshme se shtetasi Edmond Preka, në vrasjen e Gjon Ndoj (Boriçi), ka ndihmuar autorët e krimit për tu larguar nga vendi i ngjarjes, pasi i morën jetën shenjestrës me dy plumba në kokë dhe një në shpatull.
Vrasja e Boriçit dyshohet të jetë kryer nga Behar Bajri dhe klani i tij.
Ndërkohë një tjetër ngjarje ku Preka është përfshirë, është ajo e planit të vrasjes së Kleant Musabelliu, ish-punonjës i drejtorisë së Burgjeve. Preka ka informuar grupin e Ervis Martinajt me foto dhe informacione mbi lëvizjet e shënjestrës, ndërsa ka krijuar kushte për vrasje.
Atentati dështoi në rrethana të paqartësuara deri më sot nga autoritetet. Ish-oficeri i policisë ka luajtur rolin e informatorit ndaj personave të interesuar për asgjësimin e Musabelliut. Ky plan, fillimisht në bazë të transkripteve, ishte marrë përsipër nga Behar Bajri, i cili flet me Gjokën dhe i thotë se kishte gjetur 3 shtetas të huaj, një arab, një nga Kosova dhe një serb. Ata kërkonin 100 mijë euro, teksa Gjoka i thotë që nëse është nevoja jepu më shumë. Por Bajri del garant duke i thënë që për kaq para do ta bënin vetë.