KRONIKË

Dosja/ Masë sigurie për Berishën, pranga për Malltezin dhe ndërtuesin, si u paditën në SPAK nga Taulant Balla për kompleksin “Partizani”


Ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha u caktua sot një masë sigurie “detyrim paraqitje”, si edhe u bllokua pasaporta e tij në kuadër të hetimeve të SPAK për privatizimin e kompleksit Partizani në kryeqytet.

Reklama në FieriWeb - “VEGA GROUP”

Jo vetëm Berisha, por edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi u arrestua sot nga policia në aeroportin e Rinasit.

Reklama në FieriWeb - “VODAFONE ALBANIA”

Të dy akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje e deklarim të rremë të pasurisë. Po ashtu në pranga ka përfunduar edhe ndërtuesi Fatmir Bektashi, i përfshirë në ndërtimet e pallateve në zonën ku ndodhej kompleksi sportiv.

Reklama në FieriWeb - “ALNORA”

Në vitin 2020 ishte ministri i Brendshëm, Taulant Balla, asokohe kreu i grupit parlamentar të PS, i cili ka paditur, ish-kryeministrin Berisha, ish-ministrin e  Mbrojtjes Arben Imami dhe anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi si përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në kompleksin “Partizani”.

Reklama në FieriWeb - “OAZI I PISHAVE”

Dosja:

Tiranë, më 17.11.2020

Reklama në FieriWeb - “MEGATEK”

K A L L ËZ I M     P E N A 

KALLËZUES:                    Taulant Balla 

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Deputet i Kuvendit të Shqipërisë

OBJEKTI:                            Kallëzimin e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës“ në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 248-25 i Kodit Penal, të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 145/1-25 i Kodit Penal, të “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga Neni 186 i Kodit Penal, të “Pastrimit të produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” në bashkëpunim të parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal, të “Korrupsionit aktiv/pasiv në sektorin privat” sipas nenit Neni 164/a/b të Kodit Penal.

KUNDËR:                           Sali BERISHA – ish-Kryeministër gjatë viteve 2005-2013

Arben IMAMI – ish-Ministër i Mbrojtjes 2009-2013

Anëtarë të tjerë të Këshillit të Ministrave 2005-2013

Drejtues të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

Jamarbër Malltezi, aksioner i 35% të aksioneve në Kompaninë “Homeplan”shpk, bashkëshorti i Argita Sali Berisha. 

Administratori dhe aksionerë të Kompanisë “Homeplan”shpk

Administratori dhe aksionerë të Kompanisë “Kontakt”shpk

Anëtarë të Komisionit të Kthim Kompesimit të Pronave

Anëtarë Komisionit të Vlerësimit

Zyrtarëve të Drejtorisë së Administrimit dhe të Shitjes së Pronave Publike në funksion në vitin 2008

BAZA LIGJORE:               Nenet 248-25, 186, 245/1-25, 287 -25 të K.Penal; 280; 283 të K.Pr.Penale Nenet 8, 9, 10 e vijues të Ligjit Nr 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.

DREJTUAR:                        PROKURORISË SË POSAÇME KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR DHE KORRUPSIONI

I/E nderuar Z/Znj. Prokuror/e,

Prej vitit 2012 e në vazhdim kam denoncuar publikisht në median e shkruar dhe atë vizive aferën korruptive të tjetërsimit të pronës shtetërore “Klubi Sportiv Partizani”, filluar privatizimi gjatë vitit 2008.

Kohët e fundit në media është risjellë në vemendje të publikut dhe organeve ligjzbatuese fakti i pazbardhur për mënyrën e tjetërsimit të kësaj prone shtetërore nga personat me funksione të larta  shtetërore dhe/ose të lidhur me ta, duke jua kaluar në mënyrë të kundraligjshme  personave të tjerë të lidhur me këta ish-funksionarë të lartë shtetërore gjatë viteve 2008-2013.

Me të drejtat që më njeh Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë si dhe me formimin e organeve të reja të hetimit dhe luftës kundër korrupsionit të funksionarëve shtetërorë po ju drejohem me këtë kallëzim penal për hetimin e kësaj batërdie të bërë ndaj pronës publike me pasoje të mëdha financiare, në dëm të shtetit dhe pronës shtetërore përmes paramendimit të përmbajtjes dhe hartimit të akteve ligjore dhe nënligjore me qëllim përfitime klienteliste të ish funksionarëve të lartë shtetërorë.

Duke patur besim tek organet e reja ligjzbatuese në luftën kundër korrupsionit po ju drejtohem në referim të ligjit procedurial penal si dhe të ligjit te posaçëm Nr 95/2016 “ Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” për shkaqe dhe rrathana që do t’i paraqesim ëe këtë kallëzim”.

Të gjithë personat e dyshuar për veprat penale janë ish-funksionarë të lartë shtetërorë gjatë ushtrimit të detyrës, aksionerë të shoqërive tregëtare, apo persona të lidhur  me ta për të cilët  egziston  dyshimi i arsyeshem  dhe i bazuar në prova për vepret penale të “Shpërdorimit të detyrës“ në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 248-25 i Kodit Penal të  “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni 145/1-25 i Kodit Penal, veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga Neni 186 i Kodit Penal “Pastrimit i produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “ në bashkëpunim parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal, si dhe të veprave “Korrupsionit aktiv/pasiv në sektorin privat” sipas nenit Neni 164/a/b të Kodit Penal.

Po kështu  në referim dhe të neneve 75/a/Ç  i Kodit të Procedurës Penale duke qenë se  akuzat penale janë kundra ish-funksionarëve të larte shtetëror në kohën kur dyshohet për kryerjen e këtyre veprave penale kompetente për  hetim është  Prokuroria e Posaçme kundër krimit të organizuar dhe Korrupsionit -SPAK.

1-Rrethanat e Faktit

Referuar në shkresën  Nr 1196/6 prot “Kthim Përgjigje” të datës 31.03.2020 të Ministrisë së Mbrojtjes mbi shkresën Nr 770/1 datë 24.02.2020 “Kërkesë për marrje informacion” mbi dosjen e privatizimit të ish Kompleksit të Klubit Partizani si dhe provave të tjera apo dhe investigimeve të medias së shkruar apo vizive vlerësojmë se ndodhemi para konsumimit të veprave penale të funksionarëve të lartë shtetërore, apo dhe personave të lidhur ngushtësisht me ta, të cilet në bashkëpunim kanë mirëmenduar skemën realizimit të tjetërsimit të pronës objekt hetimit në menyrë që ajo të destinohet tek personat shumë të afërt të këtyre funksionarëve duke pretenduar se pronën ua kane kthyer ish pronarëve.

Fakti i mësipërm provohet qartë me favorizimin në kohë të trajtimit të dosjes së familjeve të vetquajtura ish-pronare ku brenda një afati pothuajese disa mujore arrihet që të zhvillohet e gjithë procedura e njohjes dhe kthimit të pronës në një nga format favorizuese dhe të mirëmenduar duke përdorur si garant “perfaqësuesin ligjor” dhëndrin e familjes Kryeministrore, të dyshuarin Jamarbër Malltezi.

Fakti i mësipërm i kthimit të pronës tek persona të lidhur me pushtetin dhe posaçërisht tek dhëndri i ish-Kryeministrit të asaj kohe (viti 2008) si dhe qëllimi tij për të ndryshuar destinacionin dhe ta kthejë në një kantier ndërtimi duke ndërtuar në finale 17 kulla banimi e shërbimesh disa katëshe, provohet dhe me themelimin në të njëjtën kohë të shoqërive Homeplan shpk si dhe Kontakt shpk.

Vetë i dyshuari Jamarbër Malltezi është trashëgimtar që rrjedh nga familja Begeja në masën e 1/64 pjesës takuese që e përthyer në sipërfaqe rezulton të jetë 144m2 truall si dhe faktit që në perfundim të kësaj sipërmarrje ai ka mbi 60% të pronësisë së objekteve të ndërtuara, e cila  tregon dhe njëhere synimet afatgjata dhe të mirë menduara të të akuzuarve në realizimin e qëllimeve të tyre.

Skema e lidhjes për realizimin e kthimit të pronës tek personat e lidhur me funksionarët më të lartë të shtetit konstatohet që në procedurën që prona nuk ishte ende e kthyer tek familjet pretenduese “gjasme” ish pronarë, ortaku i mevonshem i të dyshuarit Jamarbër Malltezit del garantor për pagimin e detyrimit të blerjes së ndertesave të ish- “Kompleksit Sportiv Klubit Partizani”.

Nëse ju referohemi ekstrateve historike publikuar pranë Qëndrës Kombëtare të Biznesit të shoqerive Homeplan sh.p.k si dhe Kontakt sh.p.k të cilat themelohen në momentin e tjetërsimit të pronës, funksionin e administrimit dhe të ortakërisë e mban i njëjti person.

Shoqëria themelohet nga i njëjti person në vitin 2008, konkretisht i dyshuari Fatmir Bektashi,  i cili zotëronte 100% të aksioneve dhe administrimin i vetem,  duke krijuar perceptimin se nuk ka nje lidhje direkte në momementin e themelit të këtyre shoqërive por që në të vertetë fakti që i dyshuari Bektashi shpreh vullnetin e tij duke marrë përsiper detyrimin në momentin e privatizimit dhe po në atë kohë me mbylljen e procedures me organet publike krijon dhe shoqerine “Homeplan” sh.p.k ,tregon që ka një garanci të madhe se mbi atë sipërfaqe do vijohet me dhënien e lejes së ndertimit dhe me realizimin e veprës fakt që sot është i njohur botërisht se është realizuar ky qëllim.

Faktet e mësipërme përforcohen dhe më tej ku pasi përfundon vepra në vitin 2018, i dyshuari  Jamarbër Malltezi dhe Xhimi Begeja bëhen përfitues maxhoritarë të shoqerisë Homeplan sh.p.k duke kontrolluar tashmë dhe vendimarrjen e asamblesë ku Z. Fatmir Bektashi j’u shet atyre në një vlerë qesharake përkatësisht Jamarbër Malltezit 35.000 lek aksionet në masën 35% dhe Xhimi Begeja 25.000 lek aksione në masën 25% në nje shoqeri e cila ka një kapital 100.000 lek dhe ndërmerr realizimin e një vepre mbi 20 milion dollarë.

Po kështu në respektim të Ligjit Nr.9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë” në referim të objektit të ligjit,  i cili lidhet me rregullat për deklarimin dhe kontrollin e pasurisë, të legjitimitetit të burimeve të krijimit të saj, detyrimeve financiare për të zgjedhurit, nëpunësit publikë, për familjarët e tyre dhe për personat e lidhur me ta, nuk dimë të jetë kryer ndonjë veprim aktiv në respektim të ligjit i Jamarbër Malltezit si familjar shume i afërt me ish-Kryeministrin Berisha si subjekt i posaçëm ne lidhje me aksionet apo të drejtat reale që burojnë nga marrëdhënie kontraktore civile. Kjo sjellje duke shmangur respektimin e ligjit ngrenë dyshime të arsyshme edhe për mundësine e pastrimit të parave në lidhje me objektin e zhvilluar dhe të gjithë veprimtarinë objekt hetimi për të cilen ju jemi drejtuar me këtë kallëzim penal.

Gjatë kohës që vijon procedura e privatizimit nga organet publike Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Ekonomisë dhe Agjensia e Trajtimit të Pronave (ish AKKP) konstatohet që i kallëzuari Jamarbër Malltezi jo vetëm bëhet përfaqësues ligjor për të gjithë ish pronarët, por bëhet dhe garantues i marrëdhënies finale të përftimit të të gjithë sipërfaqes si dhe të qëllimit të realizimit të veprës. Fakt i cili provohet me detyrimin e të gjithë ish pronarëve që t’i japin këtij të fundit jo më pak se  5% të vlerës së kthyer duke provuar kështu garancinë 100% që Jamarbër Malltezi ka për përfitimin e kësaj sipërfaqeje.

Lidhja e Jamarbër Malltezit me strukturat e larta shtetërore si dhe vënia e tyre në shërbim të tij provohet se në një kohë rekord nga Qershori 2008 (Raport Vlerësimi i Grupit të Ekspertëve) e deri në Dhjetor 2008 përfundon e gjithë procedura e njohjes, kthimit fizik, vlerësimit financiar të objektit që i nënshtrohet parablerjes, dorëzimit nga organet e Ministrise së Mbrojtjes dhe Ministrisë së Ekonomisë si dhe regjistrimi në regjistra publik të kesaj sipërfaqeje.

Po aq e shpejtë ka qenë edhe Bashkia e Tiranës e drejtuar prej korrikut 2011 deri në korrik 2015 nga Lulezim Basha, duke e pajisur me leje zhvillimore për ndërtimin e 17 kullave shoqërinë Homeplan sh.p.k..

Vetë koha mjaft e shkurtër pothuajse 4-5 mujore provon sjelljen në shërbim të të akuzuarve të tjerë Ministrisë së Ekonomisë nëpërmjet Drejtorisë së Privatizimit të Pronës Publike dhe asaj të Mbrojtjes përmes veprimeve korruptive dhe të paligjshme i sigurojnë dhe garantojnë personave të lidhur me ta favore dhe përfitime të paligjshme.

Fakti që Ministrisë së Mbojtjes i është bërë presion për privatizimin e këtij objekti prej gati 1 viti tregon synimin dhe qëllimin e shpejtë për të realizuar tjetërsimin e kësaj prone. Ka qenë vetë ndikimi si dhe presioni i Jamarbër Malltezit mbi Ministrinë e Mbrojtjes, e cila  ka pasur në administrim Klubin e Sportit Partizani që t’i detyrojë ata për të tjetërsuar pronësin e objektit.

Duke marrë shkas nga praktikat e ndjekura nga këto organe publike për subjekte jo të lidhur me pushtetin dhe funksionarë të lartë shtetërorë ku për vite e vite me rradhë subjektet prisnin për një vendim të këtyre institucioneve, tregon qartazi lidhjen, garantimin, qëllimin dhe funksionimin e tyre vetëm në dobi të dhëndrit të Kryeministrit.

Po kështu fakti që të kallëzuarit, funksionarë të lartë shtetëror janë të lidhur me të kallëzuarit e tjerë perfitues nga privatizimi, të afërt me ish-Kryeministrin provohet se rasti objekt i hetimit që është privatizuar përbën të vetmin përjashtim si objekt shtetëror që u privatizua midis 81 kompekseve sportive me pronarë subjekte persona fizik, që nuk patën këtë vendimarrje nga organet publike për privatizim.

Fakti evidenton që ish Klubi Sportiv Partizani të jetë i vetmi kompleks i privatizuar në këte mënyrë. Në tërësi Ministria e Mbrojtjes ka patur 213 prona të Ushtrisë të pretenduara nga ish pronarët dhe e vetmja pronë që është kthyer është pikërisht prona në fjalë, kjo vetëm me qëllimin për të realizuar ndryshimin e destinacionit dhe për të zhvilluar investime që kapin vlera shume të larta përfitimesh.

Ka dyshime bazuar në dokumenta arkivore  se 80 vite më parë pronarët të jene dëmshpërblyer me franga ari nga qeveria e asaj kohe (viti 1940), fakt i cili duhej të merrej parasysh nga Agjensia e Trajtimit të Pronave (ish KKKP) përpara se te jepej vendimi, si dhe nga Ministria përkatëse e cila ka lejuar procedurën për privatizimin përmes ushtrimit të të drejtës se parablerjes. Pra ka nje harmoni juridike për arritjen e qëllimit final të paramenduar midis organeve publike dhe autoriteteve qe kanë lejuar njohjen pronare si dhe dhënien e te drejtës se parablerjes dhe zhvillimin e procedurës së privatizimit.

Nga verifikimi i deritanishëm dyshoj se se ish-pronarët, pretendues të kësaj prone, kanë qenë kompensuar më parë nga qeveria italiane për këtë pronë dhe rrjedhimisht ata nuk mund të pretendonin kthimin dhe njohjen e një prone që ishte shtetërore tashmë, pasi të gjitha pronat që kanë qenë në pronësi të shtetit italian gjatë pushtimit i kanë kaluar shtetit shqiptar në bazë të një Marrëveshje.

Në keto rrethana ngrihen dyshime se aplikuesit ose ish-pronarët nëpërmjet përfaqësuesve të tyre kanë përdorur dokumente të falsifikuara përpara Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për të përfituar në mënyre të paligjshme një pronë që nuk ishte më e tyre.

Favorizimi dhe përfitimi në menyrë abuzive të personave të lidhur me ish-Kryeministrin duket fare qartë edhe në vlerësimin financiar të objekteve mbi truall objekt parablerje dhe privatizimi pasi metoda e përdorur nga grupi i ekspertëve është në kundërshtim të hapur me VKM 794 date 21.11.2007 dhe të Udhëzimit Nr. 6364 date 03.07.2008 “ Për kriteret e vlerësimit te pronës shtetërore që privatizohet apo transferohet dhe procedurën e shitjes” të cilët përcaktojnë që vlera e objekteve të privatizuara duhet ti referohet çmimit të tregut të lirë.

Fakti që ekspertët kane vlerësuar në masën 10.109.000 lek vlerën e objekteve mbi truall për parablerje dhe privatizim, vlerë kjo tepër e ulet në raport me sipërfaqen ndërtimore të saj apo dhe faktin se kjo zonë është zonë e miratuar për zhvillim ndërtimi, vendodhja e saj në qendër të Tiranës provon fare qartë qëllimin kriminal të të gjithë personave të akuzuar.

  1. Në aspektin penal

Vlerësoj se të kallëzuarit nga ana ime apo edhe persona të tjerë siç mund të jenë dhe ish funksionarët e Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, kanë konsumuar elementë të veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës“ në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 248-25 i Kodit Penal,  “Ushtrimi ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” në bashkëpunim parashikuar nga neni145/1-25  i Kodit Penal “Pastrimit i produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “ në bashkëpunim parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal.

Shpërdorimi detyrës qëndron në faktin se pronarët e rinj të tokës ku ndodheshin objektet e Ushtrisë, janë shpronësuar një herë nga Italia fashiste, e cila kishte planifikuar të ndërtonte një aeroport. Madje toka është blerë nga Sheqet Vërlaci dhe Jako Mane. Toka, nga Rruga e Kavajës deri tek Rruga e Durrësit është blerë nga italianët dhe më pas ka kaluar në duart e shtetit. Pra, pretendentët e këtyre pronave janë kompensuar një herë nga italianët dhe më pas toka është shtetëzuar, duke i kaluar në pronësi Ushtrisë.

Këto veprime ngrenë dyshime të arsyeshme për t’u ndodhur para elementëve të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Objekti juridik që mbrohet nga kjo dispozitë penale është mirëfunksionimi dhe prestigji i enteve publike nga subjekti i veshur me cilësi të veçanta që ushtron funksion publik, (pra subjekt i posaçëm).

Të kallëzuarit me veprimet të kundërligjshme kanë cënuar marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj dhe akte nënligjore për të siguruar veprimtarinë normale të aparatit shtetëror, duke goditur drejtpërsëdrejti veprimtarinë e rregullt të institucioneve për përfitime personale.

Lidhur me subjektin e figurës së kësaj vepre penale që është personi që ushtron funksione publike që në rastin konkret kanë qenë nënpunës publikë.

Në Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër Korrupsionit, nenin 2/a, të ratifikuar me datë 13.03.2006 është dhënë dhe përcaktimi i saktë i nëpunësit publik; “Nëpunës publik” është: (i) çdo person që mban në post legjislativ, ekzekutiv, administrativ ose gjyqësor në një shtet palë, i emëruar ose i zgjedhur, i përhershëm ose i përkohshëm, i paguar ose i papaguar, pavarësisht nga kohëzgjatja e shërbimit të personit; (ii) çdo person tjetër që ushtron një funksion publik, duke përfshirë në agjenci publike ose ndërmarrje publike, ose që kryen një shërbim publik, sipas përcaktimit të ligjit të brendshëm të shtetit palë dhe sipas zbatimit në sferën përkatëse të ligjit në shtetin palë; (iii) çdo person tjetër të përcaktuar si “nëpunës publik” në ligjin e brendshëm të shtetit palë, megjithatë, për qëllimet e disa masave specifike që parashikohen në kapitullin II të kësaj Konvente, “nëpunës publik” është çdo person që ushtron një funksion publik ose jep një shërbim publik sipas parashikimit të ligjit të brendshëm të shtetit palë dhe sipas zbatimit në fushën përkatëse të ligjit të shtetit palë”. Pra, të pandehurit janë nëpunës publik në funksion publik për këtë shkak janë subjekt të veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Pra nëpërmjet shkaktimit të këtij dëmi ekonomik janë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit duke favorizuar subjekte provat me lidhje krushqie me Kryeministrin e kohës dhe duke mirëmenduar skemën e mënyrës së përfitimit të kësaj sipërfaqe që në dukje të duken si veprime normale në zbatim të legjislacionit të kohës nderkohë që me veprime të qëllimshme dhe të paligjshme të akuzuarit kanë ndikuar me vendimmarrjen e tyre që objekti “Klubi Sportiv Partizani” të shkojë në drejtim të personave që ata kanë paramenduar duke cenuar në këtë mënyrë interesat e larta shtetërore.

Të akuzuarit kanë lejuar të anashkalohen dokumentacioni arkivore në lidhje me evolucionin e kësaj prone me qëllim favorizimin e shtetasit Jamarbër Malltezi si përfitues i kësaj sipërfaqe.

Nga ana objektive kjo vepër penale kryhet me veprime dhe mosveprime për të cilat është analizuar se përmes favorizimit të këtij subjekti lejohet një ngjarje e tillë. Ekziston një lidhje shkakësore e veprimeve dhe mosveprimeve të të kallëzuarve në kundërshtim me ligjin e kohës dhe aktet nënligjore në dëm të interesave të shtetit me një pasojë të rëndë ekonomike për shtetin shqiptar, e cila mund të merrte desinacione nga më të ndryshmet.

Nga ana subjektive kjo vepër penale është kryer me dashje. Të kallëzuarit si subjekt të kësaj vepre penale kanë qenë në dijeni të faktit se kush do jetë përfituesi i kësaj pasurie pasi ky i fundit përmes veprimeve aktive juridike ka dalë haptazi si përfaqësues i pronarëve për të gjithë sipërfaqen. Madje vlera e shlyer në kushtet e blerjes së aseteve që ndodheshin aty është bërë nga ortaku i Jamarbër Malltezit, konkretisht shtetasi Fatmir Bektashi, në kushtet kur të dy zotërojnë shoqërinë e ndërtimit Homeplan si dhe faktin që Fatmir Bektashi është aksioner 100% i shoqërisë qe ka ndërtuar mbi këtë truall të përfituar me shoqërinë Kontakt sh.p.k duke lidhur kontrata sipërmarrjeje mes tyre.

Motivi dhe qëllimi nuk është i rëndësishëm dhe element i domosdoshëm për ekzistencës e figurës së kësaj vepre penale.

Vepra penale e “Shpërdorimit të detyrës” cënon marrëdhëniet juridike të vendosura me ligj e aktet nënligjore për të rregulluar dhe disiplinuar veprimtarinë e rregullt të institucioneve shtetërore dhe për të mbrojtur të drejtat e interesat pasurore e jopasurore të shtetit dhe individëve të cilat mund të cënohen nga veprimet apo mosveprimet kriminale (objekti). Nga pikëpamja objektive kjo vepër penale konsumohet në dy forma kriminale: me veprime ose mosveprime të kundërligjshme, të cilat në thelb përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës nga personi që ushtron funksione publike, veprime këto të kryera në kundërshtim me kuadrin ligjor e nënligjor që sanksionon detyrat e të pandehurit në ushtrim të funksionit publik; ndërsa në rastin e mosveprimit kriminal, subjekti i kësaj vepre nuk ndërmerr veprimet të cilat duhet të kryheshin prej tij në ushtrim të rregullt të detyrës. Është e rëndësishme të provohet se veprimet apo mosveprimet e të pandehurit janë ndërmarrë ose nuk janë kryer gjatë kohës që ka qenë në ushtrim të funksionit, pra të vërtetohet lidhja e tyre me detyrën publike. Nga veprimet ose mosveprimet e subjektit të posaçëm/funksionarit publik duhet të vijë pasoja e parashikuar nga ligji konkretisht sigurimi i përfitimeve materiale ose jomateriale për vete apo persona të tjerë ose dëmtimi i interesave të ligjshme të shtetit apo shtetasve, pra të vërtetohet pasoja kriminale, si element i domosdoshëm i anës objektive të veprës penale. Në drejtim të anës subjektive vepra penale kryhet me dashje, direkte ose indirekte, që nënkupton parashikimin dhe vullnetin e subjektit në ardhjen e pasojave kriminale ose parashikimin e pasojave dhe lejimin e ardhjes së tyre, pavarësisht mungesës së dëshirës për ardhjen e pasojave të veprës.

Vetë mënyra e ndërtimit të dispozitës ligjore të shpërdorimit të detyrës kërkon që për të ardhur një pasojë e dëmshme nga veprimtaria e një organi, duhet të ekzistojë pasoja e drejtpërdrejtë e veprimeve, apo akteve të ndryshme me fuqi ligjore në ushtrimin e funksionit.

Në lidhje me provueshmërinë e konsumimit të elementëve të veprës penale unë ju drejtohem me një seri pyetjesh të cilat duhet të hetohen nga prokuroria e posaçme kundër korrupsionit dhe konkretisht kërkoj që të hetohet në funksion të konsumimit të kësaj vepre penale.

Sa i përket elementëve të veprës penale të parashikuar në nenin 245/1 titulluar “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” ligjvënësi parashikon se në lidhje me veprën penale të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal, ligjvënësi ka parashikuar një mbrojtje juridike të posaçme për funksionimin normal të administratës publike, nga veprime korruptive që synojnë uljen e autoritetit, përgjegjësisë dhe korrektësinë e punonjësve publikë.

Që të kemi konfigurimin e veprës penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, nga ana objektive kërkohet që subjekti aktiv të kryejë veprën penale nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme: 1) nga ana aktive, duke premtuar për t’i ofruar, ose propozuar ose dhënë, drejtpërdrejt apo tërthorazi, çfarëdo përfitimi të parregullt personit, i cili premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike.

Ndërsa nga ana pasive: 2) kërkohet që subjekti aktiv të kryejë veprën penale nëpërmjet veprimeve të kundërligjshme, duke kërkuar, marrë ose pranuar, drejtpërdrejt ose tërthorazi, çfarëdo përfitimi të parregullt, për veten e tij ose për persona të tjerë nga personi që ka kërkuar këtë veprim.

Në rastin e ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, të parashikuar nga neni 245/1 i Kodit Penal nuk parashikohet lidhja midis ushtrimit të detyrës midis funksionarit publik dhe ushtruesit të ndikimit të paligjshëm, pasi sjellja e subjektit aktiv që kryen ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndodh më përpara dhe jashtë kryerjes së marrëdhënies korruptive midis të ndërmjetësuarit dhe të korruptuarit (pactum sceleris).

Qëllimi i mbrojtjes së marrëdhënies juridike nga norma penale e parashikuar në nenin 245/1 të Kodit Penal, është mbrojtja dhe ruajtja e ushtrimit të ligjshëm të funksioneve publike, si dhe ruajtja e besimit që individët kanë tek funksionarët që ushtrojnë detyra publike në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe besnikërisë së ushtrimit të detyrës publike, duke i shërbyer me përpikëri vetëm interesave publikë në mënyrë të paanshme dhe objektive.

Sipas nenit 245/1, qoftë nga ana aktive, ashtu edhe ana pasive, vepra penale quhet e konsumuar pavarësisht nga fakti nëse, ndikimi i paligjshëm është ushtruar apo, pasoja e dëshiruar ka ardhur apo jo aq me tepër që në rastin tonë pasoja e veprimeve të kundraligjshme ka ardhur për faktin e provuar botërisht se përfituesit fundore nga veprimtaria e kundraligjshme administrative janë persona me lidhje shumë të afërta me Kryetarin e Keshillit te Ministrave në kohën kur janë lejuar të kryhet kjo veprimtari.

Pjesë e hetimit penal vlerësoj të jetë edhe vepra penale e “Korrupsioni aktiv në sektorin privat” Neni 164/a i Kodit Penal, ku parashikohet se “Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që ushtron funksion drejtues në shoqëri tregtare ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose moskryer një veprim në kundërshtim me detyrën ose funksionin e tij” si dhe Neni 164/b “Korrupsioni pasiv në sektorin privat”, ku parashikohet Kërkimi a marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt a i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi, që vjen nga përfitimi i parregullt, nga personi që ushtron funksion drejtues ose punon në çdo pozicion në sektorin privat, për të kryer ose mos kryer një veprim në kundërshtim me detyrën a funksionin e tij”. “Dhurimi” nga ana e trashëgimtarëve të tjerë të pronës së Kompleksit Partizani për të akuzuarin Jamarbër Malltezi, si shpërblim për procesin e privatizimit dhe të ndërtimit të të 17 godinave ndërtimi, hyn në parashikimet e sipërpërmendura.

Është bërë publik fakti se Jamarbër Malltezi ka marrë 5% të vlerës si garanci nga ish pronarët, duke u bërë zoterues i 25% të sipërfaqes ndërtimore.

Gjithashtu kemi përfshirë në kallzim edhe veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve”, të parashikuar nga Neni 186 i Kodit Penal, sepse dyshoj që prona është përfituar mbi bazën e dokumentave të manipuluar.

Nëse ish-pronarët do kishin patur dokumenta të rregullta do të kishin aplikuar për njohjen dhe kthimin e pronës që në vitin 1994 dhe jo te priste vitin 2008, kur iu krijuan të gjitha kushtet për të përfituar padrejtesisht pronën e shtetëzuar dhe kompensuar financiarisht që gjatë pushtimit fashist.

Ështe e vërtetë që edhe falsifikimi dhe përdorimi i dokumenteve të falsifikuara në vitin 2008 është parashkruar, por provueshmëria e këtij fakti ka rëndësi per t’a lidhur këtë falsifikim me dispozitën tjetër që është Neni 287 i Kodit Penal “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.

Kjo për faktin se prona e përfituar në mënyrë të paligjshme më pas është përdorur për veprimtari ekonomike, duke u investuar për ndërtim. Më pas ndërtimet janë tjetërsuar duke u shitur ose kaluar tek palët e treta dhe kjo është pikërisht ajo që kërkon neni 287 i Kodit Penal.

Ka praktikë ose jurisprudencë të gjërë tashmë në Shqipëri ku pasuri të shumta dhe konkretisht siperfaqe trojesh janë përfituar si rezultat i dokumenteve të falsifikuara dhe pavarësisht se falsfikimi ka ndodhur kohë më parë dhe është parashkruar, subjektet përfitues janë shpallur fajtorë dhe janë dënuar për pastrim të produkteve të veprës penale, duke qenë se pronat i kanë tjetërsuar nëpërmjet shitjes ose dhënies për ndërtim me sipërmarrje.

Hetimi i plotë e i gjithanshëm në lidhje me zbulimin e se vërtetës dhe vënia  para pergjegjesisë  penale të autoreve  të dyshuar duhet të marrë parasysh dhe t’u japë përgjigje rrethanave të mëposhtme:

-A është Klubi Partizani  nga  ato objekte që  duhet  t’i nënshtrohen privatizimit  si dhe kujt i lind  e drejta  që të marrë kete iniciativë për privatizim?

–  A është ndjekur  e gjithë  procedura  për miratimin e privatizimit  nga  institucionet  që e kanë patur në  administrim këtë objekt ? Të administrohen të gjitha aktet e miratimit për privatizimin e këtij objekti hetimi.

-Të hetohet se kush e ka iniciativen ligjore për privatizimin e objekteve të një rëndësie të veçantë  publike. Çfarë qëndrimi ka mbajtur Ministria e Mbrojtjes dhe a ka ndërhyrë K/Ministri për  privatizimin e këtij objekti ? 

-A mund të konsiderohen ambientet e Klubit Partizani objekte nga ato të cilat mund të mos i nënshtroheshin privatizimit për shkak të interesave publike?

-A kemi shkelje të procedurës se përzgjedhjes së Grupit të Ekspertëve dhe të metodës së vlerësimit nga ana e ekspertëve?

-Nga ana e Agjensisë së Trajtimit të Pronave a është verifikuar në zbatim të ligjit korrespondenca me organet shtetërore për të verifikuar statusin e pronës para marrjes së vendimit për t’u njohur pronarë 5 familjet; Begeja, Llagami ,Alimehmeti, Vaqarri  dhe Saliaga?

-Çfarë korrespondencash  janë mbajtur me Presidentin e Republikës (në cilësinë e Kryetarit të Forcave të Armatosura) në lidhje me tjetërsimin e kësaj pasurie te Ministrisë sëMbrojtjes dhe Ushtrisë Shqiptare, për shkak tërolit që ka Presidenti dhe si kryetar i Forcave të Armatosura?

-Të hetohet në lidhjet mes shoqërive “Homeplan” shpk dhe “Kontakt” shpk si dhe marrëdheniet e tyre të sipermarrjes, kapitalet themeltare në kohën e ndërtimit, kontratat e sipërmarrjes, vlera e aksioneve të subjekteve në hetim.

-Të hetohet në lidhje me faktin e marrjes 5% të vlerës si garanci nga ish pronarët nga Jamarbër Malltezi duke u bërë zoterues i 25% të sipërfaqes ndërtimore.

-Të hetohet nëse i dyshuari Jamarbër Malltezi ka deklaruar në ILDKPI  si subjekt i deklarimit të pasurive si pasojë e të qënit familjar i afërt i ish-Kryeministrit në lidhje me pasuritë e përfituara nga zhvillimi i veprës objekt hetimi.

Me qëllim që të mund të bëhet një vlerësim ligjor i plotë i veprimeve juridike të ndërmarra në vite deri në përfitimin e të drejtës së pronësisë në kushtet e një paligjshmërie në kuptimin penal për procedurat e privatizimit kërkohet të kryhet një hetim  i plotë e i gjithanshëm  për të cilat ka dyshime të arsyeshme për konsumimin e veprave penale të shpërdorimit të detyrës dhe të “Ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimit të produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “ në bashkëpunim parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal të parashikuar nga nenet 248-25,  245/1-25, veprën penale të “Falsifikimit të dokumenteve” të parashikuar nga Neni 186 i Kodit Penal “Pastrimit të produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “ në bashkëpunim parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal. “Pastrimit të produkteve  të veprës penale ose veprimtarisë kriminale “në bashkëpunim parashikuar nga neni 287-25  i Kodit Penal, 287-25 i Kodit Penal nga ana e funksionarëve publik me qëllim tjetërsimin e pronës shtetërore, si dhe të të “Korrupsionit aktiv në sektorin privat” sipas nenit Neni 164/a/b të Kodit Penal.

Me respekt,

KALLËZUESI

Taulant Balla

Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste

Related Articles

Back to top button