Drejtori i Përgjithshëm i Policisë falënderon efektivët që neutralizuan autorin e grabitjes së bankës në Tiranë

Tiranë – Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me Drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Elton Alushi, takoi sot dhe falënderoi dy punonjësit e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit Nr. 2, të cilët vepruan me guxim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm për të neutralizuar dhe arrestuar autorin e grabitjes me armë së një filial banke në Tiranë.
Sipas informacioneve zyrtare, autori hyri në bankë duke kanosur punonjësit me një armë zjarri tip kallashnikov, duke marrë një shumë parash dhe duke tentuar të largohej menjëherë. Falë reagimit të shpejtë dhe vendimtar të inspektorëve Ermal Çeku dhe Eduart Saliko, personi i armatosur u lokalizua dhe u neutralizua pa rrezikuar jetën e punonjësve dhe qytetarëve. Gjatë ndërhyrjes, u sekuestrua arma e zjarrit dhe u rikuperua shuma e grabitur.
Drejtori Proda, gjatë fjalës së tij para efektivëve, theksoi se veprimet e tyre janë shembull i qartë i profesionalizmit dhe guximit që përfaqëson Policia e Shtetit: “Përballë një personi të armatosur, vepruat me vendosmëri dhe kontroll të plotë të situatës. Veprimet tuaja nderojnë uniformën, forcojnë autoritetin e Policisë së Shtetit dhe rrisin besimin e qytetarëve tek institucionet tona.”
Ai shprehu mirënjohje të veçantë për punonjësit që treguan kurajë dhe përgjegjësi, duke rikujtuar se roli i tyre është gjithmonë në shërbim të qytetarëve dhe të ligjit.
Ky rast nënvizon profesionalizmin e lartë të Policisë së Shtetit dhe gatishmërinë e saj për të mbrojtur qytetarët, edhe përballë situatave shumë të rrezikshme.




