Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit vlerëson Komisare Enkela Deraj me Certifikatë për Shërbime të Dalluara

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Ilir Proda, ka vlerësuar me Certifikatë për Shërbime të Dalluara Komisare Enkela Deraj, Shefe e Seksionit të Burimeve Njerëzore dhe Trajnimeve në Njësinë për Kufirin dhe Migracionin “Delta Forcë” Vlorë, për arritjet, përkushtimin dhe përballimin me sukses të sfidave në detyrë.

Me një karrierë në Policinë e Shtetit që prej vitit 2005, Enkela Deraj është përballur me sfida dhe vështirësi në disa fusha të shërbimit policor, duke u kthyer ndër vite në një shembull frymëzues profesionalizmi dhe përkushtimi, veçanërisht për gratë dhe vajzat që shërbejnë në radhët e Policisë së Shtetit.

Si pjesë aktive e Shoqatës së Grave në Policinë Shqiptare, Komisare Deraj kontribuon vazhdimisht në mbështetjen, inkurajimin dhe fuqizimin e kolegeve të saj, duke promovuar rolin e gruas në strukturat e rendit dhe sigurisë.
Ky vlerësim është një dëshmi e rëndësisë së punës së saj dhe e angazhimit të Policisë së Shtetit për të nxitur barazinë, profesionalizmin dhe meritokracinë.




