“Dua maskën me mjekrën e Faton Harizajt”- Vetting zbardh bisedën me tregtarin e maskave të silikonit! Kush fshihet pas faqeve online me numra kolumbianë
Numri i lartë i ndjekësve që bën “Tag shokun kriminel” në këto video të gjendura lehtësisht në “Tik-Tok”, me mijëra ndjekës, shihet me shumë shqetësim dhe alarm nga ekspertët e sigurisë. Avokati Mevlut Derti u shpreh se: “këto grupe apo kontingjente kriminale të mos arrijnë të sigurojnë kushte të favorshme logjistike për të kryer një vepër penale një vjedhje, vrasje ose ngjarje të tjera kriminale, janë një hap para teknologjisë, investojnë shumë tek pjesa e kushteve logjistike për të kryer një vepër penale apo për të kryer një krim”.
Ndërsa avokatja Margarita Kola shprehet se: “nëse vërtetohet qëllimi apo përdorimi i maskës në një vepër penale, dënimi për tregtarin nëse gjendet e dënon atë në bazë të “neni 80 i cili parashikon dënim deri në pesë vite burg për personat që shesin mjete ose sigurojnë mjete për një autor krimi i cili kryen një vepër penale”.
Por pavarësisht nenit 80 te Kodit Penal, këta shitës anonim nuk ngurojnë të shpërndajnë videot ku reklamohen maskat e salikonit. Ajo që shihet me shumë shqetësim nuk është vetëm numri i lartë i ndjekësve por edhe komentet që lënë aty shumë njerëz duke shprehur interes për t’i blerë.
Bisedat që kanë bërë qytetarët me shitësin anonim të maskave:
“Qytetar 1: Po për goca a keni
Shitësi i maskave të silikonit: Po shkruaj në DM
Qytetari 2: Më duhet një e tillë…
Shitësi i maskave të silikonit: Më kontakto në Telegram ose DM në Tik-Tok.
Qytetar 3: Po me flokë keni?
Shitësi i maskave: Po veçse kushtojnë tepër..
Qytetar 3: Jom i interesum…
Shitësi i maskave: Kontakto në DM ose Telegram
Qytetar 4: Për sa vjen porosia në Fushë-Krujë
Shitësi i maskave: Më kontakto….
Qytetari 5: 25 euro i ke në Aliexpress o bosi…
Shitësi i maskave: Unë o vlla t’jap opsionin qe hajde takohu fizikisht e merre, n’dor shife mbrapa m’jep leket. E vetmja gja asht qe un nuk t’lejoj ta veshësh sepse n.q.s e një mask veshët ajo s’mund te shitet ma tjetër kujt, pra une ta nis ne video modelin ti m’thua, e du, takohena ti e merr n’dor e shef, n’dor dhe e paguan.
Qyterari 6: Mjekra e Faton Harizaj është…
Shitesi i maskave: Ca thu mor njeri e kam ba un videon, si jeni kshu robsh qe besoni çdo gja, mjekra eshte e imja.”
Ndër komentet e personave të interesuar të bien në sy edhe disa adresa Tik-Tok-u me pseudonime që fshehin emrin dhe mbiemrin.
Në një interesim nga gazetarët e Vetting rezultoi se ka pasur fluks të shitjeve të maskave tek persona të ndryshëm pa identitet, duke ngritur alarmin e përhapjes së atyre që mund t’i përdorin në aktivitete kriminale.
Vetë shitësi i maskave të silikonit, në komunikim me ata që interesohen, u tregon se nuk është Faton Harizaj, personazhi që u vra në Serbi dhe u varros para disa javësh në Kosovë. Madje, shitësi i maskave në këtë rast është aq i sigurte sa jep disa detaje, si p.sh mjekra e modeluar e tij. Ky person ka publikuar disa video ku vendos maskat dhe nga verifikimet e bëra rezulton se janë pamje të vërteta, pra nuk janë të vjedhura në internet. Ajo që bie në sy është se ai mban kapuç dhe syze, pas tij duket një zonë rurale në veri të Shqipërisë të cilën pas pak do të tregojmë se ku ndodhet.
Po kështu në këto adresa gjen edhe doreza silikoni që mbulojnë jo vetëm dorën, por arrijnë deri tek bërrylat sakaq mund të fsheh lehtësisht edhe tatuazhe identifikuese. Por njëkohësisht arrihen të mbulohen gjurmët e gishtave që mund të lënë në vendngjarje autori apo autorët. Rrjedhimisht duke ulur shanset që hetuesit të identifikojnë personin që ka kryer një vepër penale.
Sipas avokatit Mevlut Derti: “Para se të kryejnë një krim, këto grupe kriminale sigurojnë kushtet më minimale dhe kryesisht të një teknologjie më të lartë, maskat e silikonit shiten online, nuk ka kontroll nga instancat përkatëse për të kontrolluar çfarë shitet ose blihet . Është shumë e vështirë për t’u bërë indentifikimi sepse duhet të ketë institucione specifike për të bërë kontrollin që ky produkt ose send nuk mund të shitet ose tregtohet online”.
Madje avokati paralajmëron se: “Shitësit dhe përdoruesit duken shumë më përpara se sa përgatitja e policisë për ta. Këto grupe apo kontigjente kriminale të mos arrijnë të sigurojnë kushte të favorshme logjistike për të kryer një vepër penale një vjedhje, vrasje ose ngjarje të tjera kriminale, janë një hap para teknologjisë , investojnë shumë tek pjesa e kushteve logjistike për të kryer një vepër penale apo për të kryer një krim.”
Si mund ta blesh një maskë silikoni?
Për të vërtetuar me fakte nëse kjo faqe shet maska silikoni tek njerëz të botës së krimit, VETTING kontaktoi “Albanian Mask”, e cila në profilin e saj kishte të afishuar një numër me prefiks të Kolumbisë +57 318 7046996, ku shkruhej “Kontakto në Uhatsapp”. Numri ishte funksional, mesazhi në Uhatsapp-in e shitësit të maskave të silikonit arriti me sukses dhe brenda pak sekondave VETTING mori përgjigje.
BISEDA 1:
VETTING: Përshëndetje! A keni gjendje si kjo maska e mëposhtme?
Shitësi i maskave: Kam një gjendje ma kanë prenotu, nëse vjen e merr brenda jave ta jap. Përndryshe vjen furnizimi për pesëmbëdhjetë ditë. 500 euro bën!
*Autori që shet maskat dërgon një video të maskës që gazetarët e “VETTING” u interesuan.
VETTING: A ma sjellë në Tiranë apo në vend tjetër që thua ti?
Shitësi i maskave: Unë rri n’Veri. N.q.s ke mundësi ti, e përgjysmojmë rrugën e takohena pak ma siper Tirans, andej nga Miloti.
VETTING: Ok. Për momentin jam ne Itali, sapo te kthehem. Furnizimi tjetër a vjen me çmim me të lire apo 500 euro? Me duhet 1 përdorimshe.
Shitësi i maskave: 500 euro, furnizimi vonon se këto bahen me dorë e çdo qime qe u ngjisin vonon, se per m’u ta sjell qysh sot. Ti përdore sa te duash vlla kjo a cilësi tamam. As nuk griset as nuk i bie ngjyra. Sa vonon me ardh ti?
VETTING: Te them te drejtën unë dua te vij sa me shpejte dhe kështu i kam punët. Po bej planifikimet e mia e do nisem. Vetëm nuk dua te dija njeri asgjë. As me njeh e as te njoh.
Shitësi i maskave: O vëllai un prandaj s’punoj me asnjë lloj poste as nuk i marr leket me bank kurrë. Un t’jap mallin, lekët ndor. Une jam shumë-shumë korrekt. Prej teje dua qe nese e ban si porosi. Mos t’me lesh t’u prit n’rrugë 3 orë. Orari korrekt. Vendin e lëmë diku ku është mirë për te dy. Edhe shnet e t’mira, kam ba qindra porosi.
VETTING: Ne rregull u mbyll do te vij e ta mbyllim. Vëlla nuk do te me presësh mos u bej merak se halli është i imi jo i joti.
Shitësi i maskave: Ok pres t’me shkruash i dit para takimit
VETTING: Po e marr per hallet e mia Jo per qef. Ne rregull.
Shitësi i maskave: Deri atëhere nuk po e shes, nese ndërron mendje e nuk e don, M’thuj mos ta bllokoj kot. Respekt!
VETTING: Pa merak, nuk tërhiqem unë se te thash kam hall. Nuk e marr për qef. Prandaj te thash nuk dua te dija askush.
Shitësi i maskave të silikonit pretendon se punimet bëhen me dorë dhe nuk i blen online duke i porositur jashtë Shqipërisë. Ai ka shpjeguar se, deri pak kohë më parë maskat vinin nga jashtë vendit me postë apo alternativa të tjera transporti. Por kjo ka qenë disi e pasigurte, duke bërë që shitësit t’i hyjnë rrugës së sigurimit nga prodhues artizanalë vendas.
Në këto kushte vetë shitësi i maskave është intriguar nga kërkesa e “Vetting” duke insistuar se çfarë vendimi kishim marr në lidhje me blerjen e maskës. Pavarësisht se gazetarët investigativë i kishin thënë shitësit të maskave se do ta kontaktonin pas disa ditësh për të caktuar ditën dhe vendin e blerjes, shitësi tregohet i paduruar dhe kontakton sërish për të pyetur nëse “blerësi” ishte kthyer nga Italia.
Biseda 2:
Shitësi i maskave: A erdhe vlla?
VETTING: Për pak ditë kthehem, do të njoftoj.
VETTING kontaktoi sërish shitësin e maskave për t’ia shpjeguar se arsyeja për vonesën e blerjes ishte për shkak se personi që do e përdorte ishte në Itali për “disa blerje të rëndësishme”. Fabula e ndërtuar nga gazetarët e Vetting ishte se maska dhe armët që po siguroheshin ishin për një rast gjakmarrjeje, por ai nuk u interesua për motivin që na duhej kjo maskë.
Shitësi thjesht këmbënguli se për këtë gjë ishte i gatshëm që atë ditë nëse “blerësi” kishte ndërmend të blinte maskë apo qoftë edhe armë zjarri për të realizuar “vrasjen” që kishte planifikuar në Shqipëri. Me alibinë që do të kryej një vrasje, shitësi nuk nguroi të ofronte maskën e silikonit pavarësisht qëllimit “kriminal” të gazetarëve të infiltruar.
-Komunikimi u zhvillua në Uhatsapp:
VETTING: E di qe jam vonuar, por dua te vij ne Shqipëri Jo nëpërmjet doganës por malit. Më fal se këto gjëra nuk besoj se të intereson ty. Dhe ne Itali Kam ikur për të mos u përplasur më shumë. Se të them të drejtën me kanë vrarë një njeri timin dhe unë dua të vij te mbyll hesapet të marr gjakun tim. Po nuk dua te kem probleme. Ta them kete se e Kam per hall. Po nuk dua te shtoj me halle. Kam ngelur ketu se dua te marr nje hejur pa ze. Dhe prandaj jam vonuar. Po ma sigurove me thuaj sa eshte e gjitha dhe nuk vonoj. Dhe me thuj si do lodhemi pa u demtuar une se ti nuk do kesh asnje problem se as te njoh dhe as nuk dua te njoh besoi me kupton.
Shitësi i maskave: Kyt 500 (dërgon videon e maskës) Hajde merre qysh sot, ne fund te autostradës Tirane-Milot, nese don 500 euro kena diskutu. Ma kan kerku nja 10 vet, e prz se kam shit. Se ti m’the e du per hall per shpejt. Kur t’jesh i gatshem me e marr. Vec m’thuj. Nkyt vend pse afer Laq -Milot. Nkyt zone. Ku t’duash.
VETTING: Në rregull të them.
Shitësi i maskave: Por Tirane nuk vij dot.
VETTING: Në rregull.
Shitësi i maskave: A mir vlla? OK rsp
VETTING: Për hekur nuk bëhet fjalë të më gjesh…
Shitësi i maskave: Jo
Shitësi i maskave: Ne rregull flasim sapo te nisem do te shkruaj.
Nga kërkimet e bëra rezulton se maska të ngjashme mund t’i gjesh me çmime 60-100 dollarë në faqe si Ali Expres.
Sipas avokates Margarita Kola:“Normalisht, maskat dhe dorezat e silikonit mund të përdoren për të kryer vepra të ndryshme penale, fshehja e fytyrës për të kryer një vjedhje me dhunë ose vrasje. Ne nuk kemi një nen specifik që rregullon në mënyrë specifike shitjen e maskave, dorezave ose mjeteve të tjera. Shumica e vjedhjeve me dhunë, vrasjeve dhe veprave të rëndë penale, zakonisht njerëzit janë të maskuar, edhe gjurmët e gishtave, siç e dini gjurmët papilare janë unikë për çdo njeri, krimineli synon të lëri sa më pakë gjurmë që të mos zbulohet. Unë kam patur rast kur vjedhja është kryer nga autor i maskuar me maskë silikoni. por edhe me doreza”.
Çfarë përgjegjësia kanë këta persona që ua shesin këto maska organizatave kriminale?
“Unë i mëshoj më shumë që një krim të parandalohet sesa kur krimi kryhet. Maskat dhe dorezat e salikonit, o do ti marrësh për një punë specifike që ty të duhet ose ndryshe për çfarë? Sepse janë maska për çfarë i do? I bie që ti do të kryesh diçka dhe nuk do të indentifikohesh. Shitja e maskave duhet të rregullohet, unë mendoj se nuk duhet lejuar shitja e sendeve të tilla online. Fshehja e identitetit në publik ti mund ta bësh për dy arsye, e para nga një sëmundje e shëndetit mendor, ke frikë dhe ankthet e tua, e dyta kur ke kryer një krim dhe po e fshehin identitetin sepse në atë moment do të kryesh një vepër penale”./Panorama