Durmishi ‘ndriçon’ Juventusin, talenti shqiptar me të cilin krenohet Koperi
Gazeta italiane ‘Tuttosport’, e njohur për pasqyrimin e lajmeve rreth Juventusit, i ka kushtuar një hapësirë të veçantë futbollistit të ri me origjinë shqiptare, Arman Durmishi.
16-vjeçari është transferuar nga skuadra sllovene Koper drejt “Zonjës së Vjetër”, ku ka rënë menjëherë në sy për cilësitë e tij të pazakonta për moshën që ka. Më poshtë, shkrimi për Arman Durmishin:
“E ardhmja”, një nga fjalët kyçe të Juventusit të ri.
Sytë janë të drejtuar edhe nga shumë të rinj të lidhur me botën bardhezi, duke shkuar përtej ekipit Primavera dhe Next Gen, që vitet e fundit kanë prodhuar shumë talente.
Drejtuesit kanë ide të qarta dhe po përpiqen të krijojnë vlerë.
Një pjesë e madhe e kësaj pune është në duart e Matteo Cioffit, trajner i ekipit U-17, i cili po formon talente të shumta, duke arritur gjithashtu rezultate.
Vendi i parë në renditje është vetëm rrjedhojë e kësaj pune.
Fitimi i titujve nuk është objektivi kryesor në këto kategori, por rritja e lojtarëve, po. Dhe pikërisht këtë po bëjnë trajneri dhe stafi me Arman Durmishin.
“Po marrim një nga talentët më të mëdhenj në historinë e klubit”.
Ky transferim konfirmon se Koper është në rrugën e duhur. Jemi të lumtur sepse tregon punën e mirë që prodhon akademia jonë e futbollit”. Me këtë mesazh u njoftua transferimi i Durmishit tek Juventusi.
Deklarata të qarta dhe të drejtpërdrejta, njëkohësisht një burim krenarie për klubin slloven, i cili është i kënaqur të shohë frytet e punës me të rinjtë.
Në vendlindje, Arman kishte bërë tashmë debutimin me ekipin e parë.
Në Torino ai mbërriti së bashku me vëllanë e tij, Dajan, një mesfushor më pak i dukshëm, dhe firmosi një kontratë trevjeçare.
Juventusi veproi shpejt për të larguar interesin e Parmës dhe Leipzigut.
Tani, nën drejtimin e Cioffit, po shfaqet cilësia e tij si një qendërsulmues. Ai është lojtar i gjeneratës 2008, por luan me shumë pjekuri. Ka lëvizjet tipike të një “bomberi” klasik të zonës, por di gjithashtu të ndërveprojë me shokët e ekipit, siç tregoi në ndeshjen kundër Sassuolos (fituar 3-1 nga Juventusi).
Gjuajtje me thembër, kombinime një-dy, pasime të sakta dhe, sigurisht, një dygolësh (tre gola në shtatë ndeshje kampionati).
Një përmbledhje e cilësive të tij, që kujtojnë disi Vlahovicin dhe Seskon, një tjetër talent që Juventusi po ndjek me interes.