Durrës: Finalizohet me sukses operacioni “Enigma”, arrestohen 7 persona, mes tyre 3 me rrezikshmëri të lartë – sekuestrohen armë dhe para

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ka finalizuar me sukses një operacion të rrezikshëm policor të koduar “Enigma”. Gjatë këtij operacioni, të zhvilluar në ambientet e një restoranti në Gjirin e Lalzit, u arrestuan 7 shtetas, mes tyre 3 me rrezikshmëri të lartë dhe të shpallur në kërkim për vepra të rënda penale.
Personat e arrestuar janë:
- Xhevdet Plaku alias Kiss, 45 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma, i arratisur nga burgu i Ankonës në janar 2025, për trafikim narkotikësh. U kap me armë zjarri me fishek në fole.
- Flobens Mecia alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i kërkuar nga SPAK për veprimtari kriminale dhe sigurim kushtesh për vrasje. U kap me dy dokumente të falsifikuara dhe armë zjarri.
- Voltan Xhani, 39 vjeç, rezident në Holandë, i hetuar për trafik mjete motorike dhe sigurim kushtesh për vrasje. Gjithashtu u kap me armë me fishek në fole.
- Jugert Xhani, 35 vjeç, i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe përkrahje të autorit të krimit.
- O. H., 38 vjeç; F. Q., 36 vjeç; dhe A. H., 45 vjeç – të dyshuar për moskallëzim krimi dhe përkrahje të autorit të krimit.
Gjatë ndërhyrjes policore, e cila u realizua në kushte të larta sigurie dhe me një plan të mirëorganizuar, u sekuestruan 4 armë zjarri pistoleta me fishekë në fole gati për qitje, si dhe sasi parash në euro dhe sende të tjera me vlerë si prova materiale.
Drejtori i Policisë së Durrësit, Vilson Bala, vlerësoi profesionalizmin e forcave policore dhe theksoi angazhimin maksimal të strukturave për garantimin e rendit dhe sigurisë në qarkun Durrës, veçanërisht në sezonin turistik. Bala u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me Policinë dhe të denoncojnë çdo veprimtari të paligjshme në numrin 112, duke garantuar anonimatin dhe reagim të menjëhershëm nga strukturat ligjzbatuese.
Hetimet për këtë rast vijojnë në bashkëpunim me Prokurorinë për dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal të personave të ndaluar.