DVP Fier/ Operacioni për kapjen e personave në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë – Arrestohen dhe procedohen disa shtetas
Forcat e Policisë së Fierit vijojnë kontrollet e vazhdueshme për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe goditjen e paligjshmërisë. Si rezultat i veprimeve të fundit, u arritën rezultatet e mëposhtme:
Kapet dhe vihet në pranga shtetasi i shpallur në kërkim për “Vjedhje me dhunë”.
Arrestohet një shtetas me precedent penal për vjedhje të pronës me armë, te cilit iu gjet një armë e ftohtë në automjet.
Procedohet një tjetër shtetas pasi mbante me vete një armë sportive.
Sipas policisë, specialistët e Forcës Operacionale të DVP Fier dhe Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit vunë në pranga shtetasit:
- Xh. Xh. alias Sh. Xh., 46 vjeç, banues në Karbunarë, i shpallur në kërkim për veprën penale “Vjedhja me dhunë”. Ai, në bashkëpunim me shtetasin I. S., 31 vjeç, më 29.05.2025 i vodhën me dhunë një automjet një shtetasi 41 vjeç. Punohet për kapjen e bashkëpunëtorit 31-vjeçar.
- A. P., 47 vjeç, banues në Lushnjë, i dënuar më parë për vjedhje me armë, arrestohet pasi gjatë kontrollit të automjetit iu gjet dhe sekuestrua një shkop metalik, në cilësinë e armës së ftohtë.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Komisariatit të Policisë Lushnjë referuan materialet në Prokurori për A. G., 30 vjeç, banues në fshatin Shegas, i cili gjatë kontrollit të automjetit mbante një pistoletë sportive, dhe ndaj tij nisi procedimi në gjendje të lirë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprime të mëtejshme.




