Dy aksidente të rënda në qarkun Fier, një viktimë dhe një i plagosur rëndë

Dy aksidente të rënda rrugore janë regjistruar pasditen e sotme në qarkun Fier, ku një person ka humbur jetën, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë.
Rreth orës 15:00, në aksin rrugor Çermë–Divjakë, dy automjete u përplasën me njëri-tjetrin. Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i njërit prej mjeteve, shtetasi B. C., 38 vjeç, humbi jetën gjatë transportimit për në spital.
Ndërkohë, drejtuesi i automjetit tjetër, H. M., 45 vjeç, bashkëshortja e tij E. M. dhe dy fëmijët e tyre të mitur, që udhëtonin në të njëjtin automjet, morën ndihmë mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Një tjetër aksident u regjistrua rreth orës 16:45 në aksin rrugor Fier i Ri–Ngurrëz, ku një motomjet i drejtuar nga E. T., 47 vjeç, doli nga rruga. Si pasojë, 47-vjeçari pësoi dëmtime të rënda dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Grupet hetimore ndodhen në të dyja vendngjarjet dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidenteve.




