Dy ditë ndjekje, pastaj breshëri/ Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Entjan Nikulajt
Policia ka zbardhur detaje të tjera pas ekzekutimit mafioz të Entjan Nikulajt dy netë më parë në Lezhë. Paraprakisht dyshohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të gjakmarrjes, e cila vijon që prej vitit 1997 mes dy fiseve në këtë zonë.
Mësohet se Nikulaj është mbajtur në vëzhgim nga autorët për të paktën dy ditë me radhë.
Në këtë konkluzion kanë dalë hetuesit pas këqyrjes së kamerave të sigurisë të bizneseve në zonën e Lezhës dhe të Shëngjinit, ku qëndronte dhe lëvizte më së shumti viktima.
Mësohet se automjeti tip ‘BMW’ ngjyrë gri e përdorur nga atentatorët që e gjet e djegur në zonën e Rinasit është fokusuar edhe një ditë para ngjarjes duke lëvizur në zonën e Lezhës, por nuk është arritur identifikimi i personave që kanë qenë brenda makinës, pasi ata janë treguar të kujdesshëm.
Nga ana tjetër është zbardhur edhe ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e viktimës ku 40-vjeçari Etjan Nikulaj është përshkuar nga 7 plumba në pjesë të ndryshme të trupit, ku dy prej tyre i kanë prekur organet jetësore duke i marrë edhe jetën.
Deri më tani janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 10 persona, mes të cilëve dhe pjesëtarë të fisit, me të cilët janë në hasmëri fisi Nikulaj, por nuk është arritur të provohet që të kenë lidhje me ngjarjen dhe ata janë lënë sërish të lirë.