Dy operacione në Fier/ Arrestohet 66-vjeçari që mbante armë në banesë, bllokohet makina luksoze e vjedhur në Britani të Madhe

Fier – Policia e Fierit ka finalizuar dy operacione në kuadër të kontrolleve për evidentimin e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe verifikimin e automjeteve luksoze.
Në kuadër të operacionit të koduar “No Guns 5”, është arrestuar në flagrancë R. M., 66 vjeç, banues në Fier, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet dhe u sekuestrua një armë zjarri tip automatik, së bashku me një krehër me 29 fishekë.
Ndërkohë, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në DVP Fier ka ndaluar për verifikim një automjet tip “Benz”, prodhim i viteve të fundit, në kuadër të kontrolleve për burimin e të ardhurave dhe verifikimin e automjeteve luksoze.
Nga verifikimet rezultoi se automjeti ishte shpallur në kërkim nga Interpol Manchester.
Për këtë rast, është proceduar në gjendje të lirë E. D., 26 vjeç, banues në Mallakastër, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia njofton se vijojnë kontrollet dhe operacionet për goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje dhe trafikimit të mjeteve motorike.




