E motra iu përdhunua nga 4 persona, flet vëllai i saj: Nëse shteti i fal, unë s’i fal!
VLORË- Vëllai i vajzës 26-vjeçare e cila u përdhunua nga katër persona në Vlorë ka folur për ngjarjen e rëndë. Në një intervistë për Euronews Albania, vëllai tha se edhe pse në fillim në njoftimin zyrtar policia tha se bëhej fjalë për tre persona, ata ishin katër persona.
Vëllai i viktimës u shpreh se nëse shteti do ua falë këtë vepër atyre personave ai vetë nuk ka për t’ua falur kurrë. “Ata janë katër persona, nuk janë tre persona dhe nëse shteti i fal, nuk i fal unë. Nëse shteti apo gjykata do i falë, unë nuk i fal”,-tha ai. Vëllai i viktimës tha se ai kishte dyshime për mënyrën se si po bëhej hetimi pasi ekspertiza mjeko-ligjore u bë shumë vonë. “Ekspertiza mjeko-ligjore i është bërë pas 5 ditësh, ndërkohë që duhet t’i bëhej brenda 72 orëve,” – u shpreh vëllai i vajzës.
Vëllai i viktimës së përdhunimit tha se motrës së tij i kishin shkuar në spital për ta kërcënuar që të heqë denoncimin. “Nuk e di kush ka vajtur te spitali dhe ka bërë kërcënim. Motra më tha që kishte shkuar nëna e njërit prej djemve për të hequr denoncimin. Pas zonjës, ka shkuar edhe një zotëri, i cili e ka kërcënuar motrën në spital”, tha ai.