E pazakontë në Fier/ Tenton të vjedhë banesën, humb jetën i bllokuar në dritare

Një ngjarje e pazakontë dhe tragjike është regjistruar gjatë natës në lagjen “8 Shkurti” në qytetin e Fierit, ku një person ka humbur jetën në rrethana ende të paqarta.
Sipas informacioneve paraprake, viktima, Ilir Zarka 47 vjeç, dyshohet se ka tentuar të hyjë për të vjedhur në një banesë trekatëshe, në një kohë kur të zotët e saj nuk ndodheshin në shtëpi. Mësohet se banesa i përket shtetasit Uan Lule, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij.
Gjatë përpjekjes për të hyrë nga dera e ballkonit, pasi ka thyer xhamat, ai ka mbetur i bllokuar në dritare, ku gjysma e trupit i ka ngecur, duke i shkaktuar vdekjen. Ende mbetet e paqartë dinamika e plotë se si viktima ka përfunduar në atë pozicion.
Sipas dëshmisë së Nikollaq Lules, vëllai i pronarit të banesës, ka qenë personi që kujdesej për shtëpinë ai që ka konstatuar ngjarjen në orët e mëngjesit, duke gjetur trupin e pajetë të të riut të bllokuar në dritare. Menjëherë pas kësaj, është njoftuar policia.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe zjarrfikësit, të cilët kanë bërë të mundur nxjerrjen e trupit. Viktima është transportuar në morgun e Fierit, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të pazakontë.
Drejtoria Vendore e Policisë Fier / Informacion paraprak:
Në lagjen “8 Shkurti”, Fier, është gjetur pa shenja jete, në dritaren e një banese, shtetasi I. Z., 47 vjeç.
Nga këqyrja paraprake e trupit të viktimës nuk janë konstatuar shenja dhune dhe dyshohet se ai ka ndërruar jetë nga asfiksia, gjatë tentativës për t’u futur në banesë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit.




