E RËNDË/ Dhunohet drejtori i IMT dhe një efektiv i Policisë Rrugore gjatë aksionit për lirimin e hapësirave publike në hyrje të qytetit

Aksioni për lirimin e hapësirave publike në hyrje të qytetit të Vlorës, në zonën e njohur si Rrethrrotullimi i Nartës, ka përfunduar në dhunë fizike gjatë kontrollit të subjekteve lavazho.
Gjatë ndërhyrjes së task-forcës, drejtori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) është dhunuar fizikisht, ndërsa një efektiv i Policisë Rrugore, i cili ndërhyri për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, u godit dhe përfundoi në spital për ndihmë mjekësore.
Sipas informacioneve paraprake, pronari i lavazhos ku ndodhi ngjarja rezulton të jetë punonjës i Policisë Bashkiake. Ai, së bashku me babain dhe vëllain e tij, fillimisht kanë kundërshtuar aksionin me fjalë dhe më pas kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të shtetit.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Vlorës:
“Sot, rreth orës 12:20, shërbimet e Policisë janë njoftuar se në vendin e quajtur Rrethrrotullimi i Nartës ka ndodhur një konflikt ndërmjet punonjësve të INUV dhe shtetasve I. D., 58 vjeç, D. D., 27 vjeç dhe F. D., 23 vjeç.
Në afërsi të konfliktit kanë qenë duke kryer shërbim të planizuar dy punonjës të Qarkullimit Rrugor, të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit dhe janë goditur fizikisht nga tre shtetasit e sipërpërmendur.
Gjatë ndërhyrjes dhe në përpjekje për të ndalur sulmin fizik, njëri prej punonjësve ka përdorur armën e shërbimit duke qëlluar në ajër, pa shkaktuar lëndime.
Si pasojë e dëmtimeve fizike, dy punonjësit e Policisë janë dërguar në Spitalin Rajonal Vlorë, ku ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, i përbërë nga OPGJ i Prokurorisë dhe AMP, të cilët po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.”
Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht ngjarjen dhe për të përcaktuar përgjegjësitë ligjore të personave të përfshirë.




