E RËNDË NË ROSKOVEC/ DAJA I DEPUTETES AKUZOHET SE TENTOI TË MERRTE ME FORCË VAJZËN, MË HERËT DYSHOHET SE E MBAJTI 45 DITË

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në Suk të Roskovecit, ku një 67-vjeçar është plagosur me mjet të mprehtë nga një 52-vjeçar, teksa ky i fundit tentoi t’i rrëmbente me forcë vajzën.
Policia e Fierit tha në një komunikim për shtyp se 67-vjeçari Enver Grëmi u godit në këmbë me një mjet prerës, konkretisht me një drapër, nga Bledar Bakaj, për motive të dobëta.
Por viktima, Enver Grëmi, ka rrëfyer për mediat një tjetër version për ngjarjen. Ai flet për rrëmbim dhe përdhunim të vajzës së tij 34-vjeçare.
Enver Grëmi ka tronditur me dëshminë e tij para kamerave, duke treguar se e kishte njohur Bledar Bakajn përmes motrës së tij, e cila jeton në të njëjtin fshat me të. Sipas 67-vjeçarit, motra e Bakajt i kishte thënë se ai mund ta ndihmonte për gjetjen e një vendi pune, pasi ishte daja i deputetes Zegjine Çaushi.
Pas takimit në Roskovec, Enver Grëmi thotë se mori premtimin nga 52-vjeçari se do ta ndihmonte për punësimin e vajzës së tij.
Gjatë disa muajve, sipas dëshmisë së Grëmit, Bakaj i vizitoi në shtëpinë e tyre në Suk, ku takonte Enverin, bashkëshorten e tij dhe vajzën 34-vjeçare.
Duke qenë se familja ishte në kushte të vështira ekonomike dhe kishte probleme shëndetësore, sipas 67-vjeçarit, Bakaj ishte ofruar ta çonte vajzën e Enverit për vizitë në spitalin e Fierit, pasi ajo vuante nga anemia.
Më 26 maj, babë e bijë shkuan në spitalin e Fierit për të kryer një vizitë mjekësore.
Sipas dëshmisë së Enver Grëmit, që nga ajo ditë deri më 10 korrik, ai dhe bashkëshortja e tij nuk e panë dhe as nuk mundën të komunikonin me vajzën.
Bledar Bakaj, sipas 67-vjeçarit, e mori vajzën teksa ajo po dilte nga dera e pasme e spitalit. Kur Grëmi e telefonoi për ta pyetur se ku ndodhej vajza, sipas tij, Bakaj i tha se po shkonin me ambulancë në Tiranë.
Për 45 ditë, vajza nuk ka komunikuar me prindërit, ndërsa këta të fundit, sipas dëshmisë së tyre, u detyruan të shkonin në polici për të bërë denoncim.
Kur është kthyer te prindërit, 34-vjeçarja ka rrëfyer, sipas familjes, se ishte përdhunuar dhe mbajtur me forcë nga 52-vjeçari.
Ajo ka mundur të shpëtojë pasi, sipas rrëfimit të saj, atë ditë Bledarit i ishte dashur të shkonte në një takim pune.
Më pas, 34-vjeçarja ka kërkuar urdhër mbrojtjeje në Policinë e Fierit.
Por ngjarja nuk është mbyllur me kthimin e saj pranë familjes.
Një natë më parë, Bledar Bakaj shkoi në shtëpinë e familjes Grëmi në Suk, duke tentuar të marrë vajzën sërish.
Por 67-vjeçari nuk e lejoi. Sipas dëshmisë së tij, ai u përball me sulmin e Bakajt, i cili e goditi me mjetin prerës dhe e la të plagosur në këmbë.
Policia e Fierit ka arrestuar në flagrancë 52-vjeçarin Bledar Bakaj për plagosjen e 67-vjeçarit.
Ndërkohë, pretendimet e ngritura nga familja Grëmi për rrëmbimin, mbajtjen me forcë dhe përdhunimin e 34-vjeçares mbeten për t’u verifikuar nga hetimet dhe organet kompetente.
Ngjarja vijon të jetë nën hetim.




