E rëndë/ Shembet skeleti në kantier, 4 shqiptarë humbin jetën

Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të martë në një kantier ndërtimi në Alsergrund, në Vienë, ku katër punëtorë nga Kosova kanë humbur jetën në rrethana tragjike.
Ngjarja ka ndodhur në zonën e kryqëzimeve të rrugëve Liechtensteinstraße dhe Thurngasse, si edhe Porzellangasse dhe Grünentorgasse, pranë Bauernfeldplatz.
Sipas raportimeve fillestare, aksidenti ka ndodhur gjatë punimeve të betonit, ku një pjesë e strukturës (skeletit) është shembur.
Si pasojë, disa punëtorë kanë rënë në oborrin e një ndërtese të vjetër, duke pësuar dëmtime fatale. Mediat austriake raportojnë se katër viktimat janë shtetas nga Kosova.
Lajmi është konfirmuar edhe nga reagime të familjarëve, të cilët kanë shprehur dhimbjen e thellë për humbjen e të afërmve të tyre, të cilët humbën jetën tragjikisht në vendin e punës.
Autoritetet austriake kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit, ndërsa pritet të dalin më shumë detaje mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje të rëndë.




