Edhe pse të pakët në numër, simpatizantët e PD Fier nuk dorëzohen, nisen drejt Tiranës për protestën e sotme
Disa anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Demokratike të degës së Fierit janë nisur sot drejt Tiranës për t’iu bashkuar protestës së opozitës që zhvillohet përpara Kryeministrisë. Grumbullimi i tyre është bërë në vendin e njohur si “Kryqëzimi i Sharrës”, prej nga janë nisur me automjetet e tyre private.
Në një prononcim për mediat, deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi, u shpreh se protesta vjen pas zgjedhjeve të 11 majit, të cilat opozita i konsideron të grabitura, dhe në një situatë që ai e cilësoi si të jashtëzakonshme politike.
Baçi deklaroi se protesta nuk ka një skenar të paracaktuar dhe se zhvillimi i saj do të varet nga vullneti i qytetarëve. Sipas tij, kjo protestë pason tubimet e zhvilluara në formën e foltoreve nga Partia Demokratike, në kundërshtim të ndalimit të deputetëve të opozitës në Parlament dhe heqjes së të drejtës së fjalës.
Deputeti demokrat theksoi se protesta e sotme është pjesë e një serie protestash që do të vijojnë edhe në ditët në vijim, në forma dhe mënyra të ndryshme.




