Editorial nga VLADIMIR MUÇAJ: Një Vendim i Padrejtë dhe i Pamerituar!
Editorial: Nga Vladimir Muçaj
Në një moment kur gazetaria e ndershme dhe e pavarur është më e nevojshme se kurrë në vendin tonë duke qënë që i jemi nënshtruar si shoqëri një autokrature të instaluar ndër vite, unë, Vladimir Muçaj, gazetari me një karrierë të pasur prej 30 vitesh në media,sot u ndodha përballë një vendimi gjyqësor të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë që më dënon për shpifje ndaj kolegut tim, Ylli Rakipit.Me poshtë dua të rendis disa arsye përse ky vendim është jo vetëm i padrejtë , jo profesional si dhe i pabazuar në fakte e prova duke u konsideruar mirëfilli një sulm ndaj lirisë së shprehjes dhe integritetit të gazetarisë dhe medias online në Shqipëri.
Në tri dekada të karrierës sime, kam qëndruar gjithmonë në shërbim të së vërtetës dhe transparencës. Kam raportuar për çështje të ndjeshme, duke sjellë në dritë korrupsionin, abuzimin me pushtetin dhe të tjera shkelje të ligjit.
Gazetaria ime ka qenë gjithmonë e bazuar në fakte dhe dëshmi të besueshme. Në këtë kontekst, akuza për shpifje është jo vetëm e pabazë, por edhe një fyerje për gjithë punën dhe përkushtimin tim profesional.
Vendimi gjyqësor ndaj meje bazohet në interpretime të shtrembëruara të fakteve dhe dëshmive që unë kam dhënë. Në çdo rast të raportuar nga unë, kam qenë i kujdesshëm të verifikoj informacionin nga burime të ndryshme dhe të sigurohem që publiku të marrë një pasqyrë të qartë dhe të saktë të ngjarjeve. Në rastin konkret, pretendimet e bëra ndaj Ylli Rakipit janë mbështetur në dokumente dhe dëshm të publikuara nga një media tjetër online .
Ky vendim nuk pasqyron realitetin dhe është një përpjekje për të më frenuar mua dhe gazetarët e tjerë që kemi për mision dhe gjithmonë synojmë të zbardhin të vërtetën.
Ky vendim nuk është vetëm një sulm ndaj meje personalisht, por edhe ndaj lirisë së shprehjes dhe gazetarisë investigative në vendin tonë. Duke dënuar një gazetar që ka kryer punën e tij me ndershmëri dhe përkushtim, mund të konsiderohet me plot gojë si një mesazh frikësues për të gjithë ata që synojnë të ndjekin rrugën e gazetarisë së vërtetë. Në gjykimin tim personal kjo është një përpjekje për të heshtur zërat kritikë dhe për të mbrojtur ata që kanë abuzuar me pushtetin.
Unë kërkoj që ky vendim të rishikohet në dritën e fakteve dhe të dëshmive të paraqitura. Është e nevojshme që gjyqësori të veprojë me drejtësi dhe paanësi, duke marrë parasysh kontributin e gazetarisë në ndriçimin e të vërtetës. Gjithashtu, është e rëndësishme që shoqëria të mbështesë lirinë e shprehjes dhe gazetarinë investigative si shtylla themelore të një demokracie të shëndoshë.
Unë besoj fuqimisht në fuqinë e fjalës së lirë dhe në rëndësinë e gazetarisë së pavarur në këtë vend. Ky vendim i padrejtë dhe i pamerituar nuk do të më pengojë të vazhdoj të zbardh të vërtetën dhe të mbroj të drejtat e qytetarëve për të qenë të informuar. Drejtësia do të triumfojë dhe gazetaria do të mbijetojë, për të mirën e një shoqërie të hapur dhe të drejtë. Me respekt
Marë nga: newsalbania.al