Ekonomia u rrit me 3.96% në 2024, por bujqësia dhe industria shënuan rënien më të fortë që nga pandemia

Ekonomia vendase u rrit me 3.96% në vitin 2024, raportoi sot INSTAT, nga 3.94% një vit më parë. Rritja është nxitur nga ndërtimi (5.86%), tregtia dhe akomodimi (5.69%), si efekt i turizmit dhe administrata publike (9.57%), si rrjedhojë e rritjes së pagave.
Por dy sektorë mjaft të rëndësishëm për ekonominë si bujqësia dhe industria ishin në rënie, sidomos industria.
Sipas INSTAT, bujqësia ra me 1.15%, duke shënuar të katërtin vit me tkurrje.
Më e fortë ishte rënia industrisë, me sektorin që u tkurr me 6.78%, rënia më e fortë nga pandemia (-7.32). Goditjen e shënoi industria përpunuese që ra me 7.49%, një tkurrje më e forta që nga 2019-a, kur raportohen të dhënat. Rënia e euros dhe ulja e konkurrueshmërisë së sektorit nga rritja e kostove po çon shumë fabrika drejt falimentit.
Sipas INSTAT, Produkti i Brendshëm Bruto (PBB), në terma realë, në tremujorin e katërt të vitit 2024 vlerësohet me rritje 3,63 %, në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2023.
Kontribut pozitiv kanë dhënë degët: “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me +1,44 pikë përqindje, “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” me +0,81 pikë përqindje, “Aktivitete të pasurive të paluajtshme” me +0,50 pikë përqindje, “Ndërtimi” me +0,25 pikë përqindje, “Arte, argëtim dhe çlodhje; aktivitete të tjera shërbimi” me +0,19 pikë përqindje, “Aktivitete Financiare dhe të Sigurimit” me +0,03 pikë përqindje, “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” me +0,01 pikë përqindje. Aktiviteti “Industri, Energji dhe Uji” kontribuoi me -0,85 pikë përqindje, “Bujqësi, Pyje dhe Peshkim” me -0,35 pikë përqindje dhe “Informacioni dhe Komunikacioni” me -0,01 pikë përqindje.
“Taksat Neto mbi produktet” kontribuuan pozitivisht me +1,61 pikë përqindje.
Degët kryesore të ekonomisë, për tremujorin e katërt të vitit 2024, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2023, paraqiten si më poshtë:
Grupi “Administrata Publike, Arsimi dhe Shëndetësia” shënoi rritje prej 11,35%, i pasuar nga aktiviteti i “Pasuri të Paluajtshme” me një rritje prej 10,76%. Grupi i aktiviteteve “Arte, argëtim dhe çlodhje dhe aktivitete të tjera shërbimi” shënoi rritje prej 9,57%, grupi i “Tregti, Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor” shënoi një rritje prej 4,33%. Grupi “Aktivitete Financiare dhe të
Sigurimit” shënoi një rritje prej 2,10%, aktiviteti i “Ndërtimit” rritje prej 1,57%, dhe grupi “Informacioni dhe Komunikacioni” shënoi rritje prej 0,06%.
Aktivitetet e “Industrisë, Energjisë dhe Ujit” shënuan rënie prej 7,73%, aktiviteti i “Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit” u ul me 2,70%, dhe “Aktivitete profesionale dhe Shërbime administrative” shënoi rënie prej 0,05%. Taksat Neto mbi produktet u rritën me 14,04%./ Monitor