Ekzekutimi i Elton Javorit në Fier, Prokuroria çon për gjykim vëllezërit Gashi dhe 3 të tjerë për moskallëzim krimi e përkrahje të autorit

Fier – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë të pandehur për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 7 dhjetor 2023, ku mbeti i vrarë shtetasi Elton Javori, 41 vjeç.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasit Kreshnik Gashi dhe Agim Gashi, vëllezër, janë akuzuar për veprat penale “Vrasja me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”, parashikuar nga nenet 78/1, 25 dhe 278/1 të Kodit Penal.
Ngjarja ndodhi në lagjen “16 Prilli”, në rrugën “Kujtim Majaci”, ku viktima po drejtonte një mjet tip “Porsche Cayenne” në momentin kur është qëlluar me armë zjarri nga të pandehurit.
Ndërkohë, tre shtetas të tjerë janë marrë të pandehur për veprime që lidhen me fshehjen ose moskallëzimin e krimit. Konkretisht, shtetasi Rexhep Puka akuzohet për “Përkrahje të autorit të krimit”, A.L. për “Moskallëzim të krimit”, dhe shtetasja E.Xh. për “Deklarim të rremë para oficerit të policisë gjyqësore”.
Prokuroria e Fierit thekson angazhimin për hetimin e plotë të veprave penale kundër jetës dhe shëndetit dhe vendosjen para drejtësisë të çdo personi përgjegjës.




