Elbasan – Pezullohet shefi i Trafiqeve në Drejtorinë Vendore të Policisë

Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka pezulluar nga detyra komisarin O. M., me detyrë shef i Seksionit të Trafiqeve, pas publikimit të një rasti të dyshuar abuzimi me detyrën në emisionin investigativ “Stop”.
Sipas njoftimit zyrtar, pezullimi është bërë menjëherë pas transmetimit të rastit, ndërsa ndaj punonjësit të policisë janë nisur hetimet administrative dhe penale.
Drejtoria e Standardeve Profesionale, në bazë të nenit 121, pika “d” të Ligjit nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, ka hapur hetimin administrativ, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) po heton penalisht në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit.
Në njoftimin e saj, Policia e Shtetit falënderon median dhe qytetarët për denoncimet ndaj abuzimeve me detyrën dhe thekson se çdo rast i tillë do të trajtohet me reagim të menjëhershëm dhe të paanshëm.




