Energjia në zonat turistike, OSSH lidh kontratën 1 mln euro për Ksamilin
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes për rajonin e Gjirokastrës lidhi se fundmi kontratën me vlerë 111 milionë lekë me TVSH apo mbi 1 milionë euro për disa ndërhyrje në rrjetin e energjisë elektrike në zonën turistike Sarandë, Ksamil.
Në relacionin teknik të procedurës kompania publike pranon se kjo është e nevojshme për të përmirësuar cilësinë e furnizimit me energji të pjesës më Jugore të vendit ku konsumi bëhet edhe më i lartë në sezonin turistik. Konkretisht kontrata e lidhur me “Shansi Invest” ka në objekt të saj Zgjatim i fiderit OLM 6, 20 kv, N/ST Sarandë 110/20 KV (Lidhja Unazore), zgjatimi i fiderit OLM 5 për furnizimin e zonës Marinë, Ksamil si dhe rikonstruksion i rrjetit ekzistues 20 KV dhe rrjetit TU, 0.4 Kv, fideri OLM 5 (Ksamil), N/St.Sarandë 110/20 kv”.
“Ksamili karakterizohen nga një zhvillim intensiv i gjithanshëm, veçanërisht i ndërtimeve në zonën bregdetare të saj. Këta faktor kanë bërë që ritmet e rritjes së kërkesës për energji elektrike të jenë mjaft të larta. Për zonën bregdetare duhet zhvilluar një infrastrukture elektrike e përshtatshme, që të garantojë një shërbim cilësor kundrejt konsumatorëve aktual dhe njëkohësisht të jetë në përputhje me zhvillimet e pritshme afatgjata të zonës. Referuar strategjisë së zhvillimit dhe përmirësimit të rrjetave elektrike që kompania OSSH sh.a. ka, ndër të tjera dhe normalizimin e ngarkesave në linja TM, kabina transformacioni dhe rrjetin TU , dhe për tju përgjigjur zhvillimit urbanistik dhe demografik të zonës plazh është hartuar ky projekt me qellim të furnizimit me energji elektrike të kësaj zone”, thuhet në dokumentin e procedurës.
Kalimi në një lidhje unazore krijon mundësinë që në rast ndërprerje të energjisë për defekte të ndryshme në zonat e prekura furnizimi me energji të bëhet në formë alternative duke shkurtuar kështu kohën e mungesës së energjisë.
Rrjeti i shpërndarjes në vend vuan nga nevoja për ndërhyrje për shkak se një pjesë e tij është e ndërtuar dekada më parë dhe është e amortizuar ndërkohë që në zona të tjera siç janë ato urbane dhe turistike zhvillimi ka qenë dinamik duke krijuar ngarkesë dhe nevojë për ndërhyrje me investime për të përballuar këtë rritje të konsumit. Gjatë viteve të fundit operatorët e energjisë kanë qenë të kufizuar për të kryer investime fillimisht nga një situatë aspak e mirë hidrike pak vite më parë, më pas për shkak të pandemisë dhe në fund edhe për shkak të krizës së energjisë e cila nisi nga vjeshta 2021 dhe pasojat janë evidente edhe sot.