Erë e fortë dhe dallgë deri në 3 metra, pezullohet lundrimi në Vlorë
Sipas parashikimit të situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në Gjirin e Vlorës dhe jashtë tij, kapiteneria e Portit të Vlorës ka pezulluar lundrimin në datat 19-22 të këtij muaji.
Të gjitha anijet e vogla lundruese do të ndalohen të operojnë shërbimin e tyre, ndërkohë që të gjitha anijet e transportit ndërkombëtar do të vazhdojnë të operojnë në destinacionet përkatëse.
Moti i përkeqësuar, i karakterizuar nga era e fortë në Vlorë, ka sjellë pezullim të lundrimit për një pjesë të mjeteve detare. Era fryn me shpejtësi deri 20m/s dhe dallgët kanë arritur lartësinë deri 3 metra brenda gjirit të Vlorës. Prandaj Kapiteneria u ka dhënë urdhër të gjitha mjeteve lundruese të vogla, peshkarexhave, mjeteve turistike të mos dalin në det.
Po ashtu, konfirmohet se këtë të premte pezullohet lundrimi edhe për tragetin e linjës Vlorë-Brindisi, pasi gjatë pasdites pritet që shpejtësia e erës të shtohet, duke sjellë kështu edhe pezullim të lundrimit të tragetit në linjën me Italinë. Pezullimi për anijet e peshkimit dhe mjetet e vogla lundruese do të mbetet i tillë deri mëngjesin e së dielës.
Ndërkohë që tragetet e linjës Vlorë Brindisi, por dhe anijet e transportit ndërkombëtar do të vijojnë lundrimin normalisht.
Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike të përkeqësuar në gjirin e Vlorës dhe jashtë saj për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit do të jetë mbas orës 12:00 të datës 24.10.2023.